line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime
<< Mbrapa
Adem Demaēi - Parashikues i proceseve politike

Shkruan: Ibrahim Shala
Pjesë nga libri me përmbledhje autorësh i Selatin Novosellës, “Demaçi metaforë lirie”, Interpress, Prishtinë, 2006.

 

            Adem Demaçi është urë lidhëse e vazhdimësisë mes  brezave të rezistencës shqiptare të pas Luftës Dytë Botërore kundër pushtimit serbo-jugosllav me brezin e pas viteve shtatëdhjeta. Me veprimtarinë e vet, dënimet që mori dhe vuajtje viteve të shumta në burg e bënë simbol të rezistencës, yll polar të orientimit politik kombëtar dhe burim frymëzimi për veprim dhe sakrifica të brezit të ri e sidomos të rinisë studentore. Për kundër faktit që burgosja e tij e gjatë e pa mundësonte veprimtarinë e tij konkrete, kontributi i tij politik dhe patriotik ishte i përhershëm, vetë qenia fizike dhe shembulli i tij, ‘riprodhoi’ me qindra dhe mijëra veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë dhe viset shqiptare në ish Jugosllavi. Ai si askush tjetër përfaqësoi me dinjitet patriotin revolucionar dhe shkrimtarin disident.
            Pas daljes nga burgu i gjatë, ai iu bashkëngjit lëvizjes politike legale paqësore të pluralizmit nën okupim, realitet dhe filozofi që e gjeti të instaluar në vetëdijen e kohës e perceptuar si Alternativa Politike Kosovare. Vetë zhvillimi i realitetit dhe vendosmëria e Adem Demaçit për të vepruar konkretisht dhe pa hile për çështjen kombëtare do të shtonin argumentet se ai nuk ishte si të tjerët, sepse ai nuk ishte i lindur që të besonte në filozofinë e durimit dhe pritjes. Do të fillonte edhe më hapur të shprehte mendimin ndryshe, mendimin kundër filozofisë pacifiste ‘zyrtare’ të Ibrahim Rugovës, duke treguar mosbesim në rezultatin e saj në luftë për realizimin e aspiratave kombëtare, kundërshtim që vlerësohej si herezi e kohës. Në këto rrethana nga ai u vlerësua si veprimtari më konkrete politike dhe më e dobishme Mbrojtja e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, se sa propagandimi i politikës pacifiste.
            Me daljen në skenë të UÇK dhe fillimin e luftës çlirimtare të saj, ishte i vetmi lider politik që u deklarua pro luftës dhe UÇK, kur nuk kishte asnjë deklarim tjetër nga kryetarët e partive legale. Gjatë kohës së luftës ishte po ashtu më aktivi për unifikimin e faktorit politik dhe ushtarak, si kusht për fuqizimin më të madh të luftës së UÇK. Ai edhe publikisht u emërua dhe veproi si përfaqësues politik i UÇK, me kontaktet që mbante  me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK në zonat e lira si dhe me aktivitetin që e zhvillonte në  qendër të Prishtinës, ai ishte i vetëdijshëm për rrolin e madh që po luante, për përgjegjësinë e madhe që kishte marrë mbi vete, po ashtu ishte i vetëdijshëm edhe për pasojat e mundshme hakmarrëse nga forcat pushtuese serbe. Gjatë fushatës së bombardimeve ajrore të NATO dhe shpërnguljes së madhe të popullatës shqiptare ai qëndroi në Prishtinë, i vetëdijshëm se mund të kishte edhe një përfundim tragjik. Duke u sjell si liderë i vërtetë popullor  me qëndrimi ti tij në Prishtinë gjatë tërë kohës së luftës Adem Demaçi vërtetoi edhe një herë bindjen, se për të më e shtrenjtë ishte Kosova se jeta.
            Pas çlirimit kur pritej që politika kosovare të tokëzohej dhe konkretizohej përmes marrjes së përgjegjësisë së udhëheqjes politike, analizës së vendimmarrjes dhe përllogaritjes së  kostos së vendimeve politike, do të jetë përsëri Adem Demaçi që do të jep shembullin konkretë. Ai do të përpiqet të tregojë një qasje të re politike ndaj minoriteteve në emër të përgjegjësisë së shumicës shqiptare. Veprimet e tij  paraprinin dhe parashikonin  zhvillimet politike vite më parë, bënte përpjekje që udhëheqja institucionale kosovare të merrte vendime si pasojë e vetëdijes politike dhe jo si presion dhe detyrim i faktorit ndërkombëtarë. Ai ishte i veçantë me futjen e elementit parashikues në politik në kohë dhe hapësirë duke vlerësuar rëndësinë themelore që ka qëndrimi dhe rroli i faktorit të brendshëm politik në identifikimin dhe realizimin e objektivave politike dhe kombëtare. Ajo që e bënë të veçantë Adem Demaçin nga të tjerët është fakti, se në mendimet e tij politike është shumë origjinal dhe i pa varur, duke mos iu nënshtruar ndikimit të asnjë autoriteti të jashtëm që nuk përputhet me konceptet e tij politike.
            Rëndësinë thelbësore të faktorit të brendshëm politik ai e mbron edhe sot, kur bëhen bisedime shumëpalëshe për statusin final të Kosovës. Shteti dhe pavarësia e Kosovës nuk do të realizoheshin pa kontributin e Adem Demaçit, apo më saktë proceset do të vonoheshim më shumë se sa mund të mendohet. Adem Demaçi është një jetë e tërë në shërbim të Kosovës. Ai dhe Kosova janë bërë një.

Pjesë nga libri me përmbledhje autorësh i Selatin Novosellës, “Demaçi metaforë lirie”, Interpress, Prishtinë, 2006.


 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala