line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime
<< Mbrapa
Si e njoha Agim Ramadanin
(Në rastin e katër vjetorit të rënjës)

/Ditorja "Epoka e re"/12 dhe 14.04.2003/Prishtinė//

 

 Sa here afrohet 9 prilli, dita e mësymjes së kufirit Shqipëri - Kosovë dhe rënja e Agim Ramadanit, ndjeja një inspirim (ndoshta obligim) për të shkruar për Agim Ramadanin. Kjo shtysë rritej edhe më tepër kur lexoja në shtyp interpretimet e ndryshme për figurën e tij politike dhe ushtarake. Kisha bindjen se nuk bëhej prezentimi i figurës së tij me tërë komleksitetin e saj, e aq më pak në thellësinë dhe dimensionin real. Shpesh ndahet njëra component e personalitetit të tijë varësisht nga qellimi i autorit dhe bindjet e tij politike. Besoj se edhe ky shkrim im nuk ka mundësi të jetë gjithëpërfshirës për personalitetin e Agimit, por do të jetë një kontribut më tepër për ndriçimin e kësaj figure të lavdishme të luftës së UÇK.

I. Njohja me Agimin
Për Agim Ramadanin nuk kisha degjuar më herët si për shumë veprimtarë tjerë të çështjes kombëtare, e që sot janë deshmorë të kombit. Atë një mesditë prilli të 1998, e takova në një restoran të Tiranës së bashku me një shokun e tij ish officer i APJ. Ai kishte ardhur në Tiranë shumë para se të themelohej Ministria e Mbrojtjes (MM), në marrëveshje me LKÇK, për të ushtruar pjestarët dhe simpatizantët e saj në bazat e tyre në Shqipëri.
Më vonë me Agimin u takuam gjatë punës në Ministrin e Mbrojtjes. Ne patëm mundësi që të kontaktonim deri sa ai hyri në Kosovë me një formacion që quhej Brigadë, por që në fakt ishte një bërthamë Brigade. Gjatë kësaj kohe na binte që të bisedonim dhe shkembenim mendime për shumë çështje të rendësishme të aktualitetit. Më gëzonte fakti  se në shum çështje konceptuale dhe doktrinare kishim pikpamje të ngjajshme. Të habiste njohuria e thellë e fushës dhe problemeve politike të çështjes shqiptare. Që në takimin e parë që të binte në sy fakti, se diskutimi i tij dallonte nga të tjerët e sidomos nga oficerët e tjerë të karierës. Mendimi i tij ishte më militant dhe me permbajtje me të thellë kombtare. Më pastaj zhvillimi i ngjarjeve  e solli që të kemi edhe shumë kontakte në rrethana të ndryshme.

II. Pse në Ministri të Mbrojtjes
Ai luftën e kishte kërkuar dhe proklamuar si mjetin e vetëm për zgjidhjen e çështjes kombtare. Ky qendrim mund të shihet edhe nga shkrimet e tij që janë pasqyrim i thellësisë së shqetësimeve të  shpirtit të tij. Ai në rrethanat e krijuara nuk i bishtëronte luftës, por kishte mendimin e tij të vçantë, si njohës i doktrinës ushtarake, teorive të luftës dhe vetëdijes institucionale shtetformuese. Ai luftën e filluar e vlerësonte si shans dhe domosdoshmëri historike. Preokupim i tij kryesor ishte se si duhej organizuar ushtria, dhe si duhej drejtuar lufta për të dalë më të fortë prej saj në të gjitha  aspektet. Argumentimi i tij ishte se, nese lufta drejtohet nga institucionet qoftë edhe të tilla çfarë janë, rezultatet e saj do të ishin më të mëdha dhe dhe përfundim i saj do të kapitalizohej më mire. Kjo ishte logjika që atë e shtyri të rreshtohej në kuadër të MM, e jo përcaktimi politik apo partiak.  Ai e mendonte UÇK si një ushtri kryengritëse e cila çdo ditë e më tepër gjat kalitjes në beteja do të merr trajtën e ushtrisë së rregullt. Fakti se ushtarët ishin të paraqitur vullnetarë nuk e ndryshonte esencën për të arritë këtë objectiv, sepse shkuarja është vullnetare por parimi i funksionimit të ushtrisë bëhet vetëm me logjikë ushtarake. Një ushri qoftë edhe kryengritëse mund të shëndrrohet në ushtri të rregullt, vetëm  nese është e drejtuar nga institucionet e zgjedhura (emëruara)qoftë para apo gjatë luftës.

III. Lufta në Kosovë  me 1998
Në qershor të vitit 1998 ai hyri në Kosovë me një formacion që  u quajtë Brigadë por që në esencë ishte një bërthamë e armatosur për tu zhvilluar më vonë në Brigadë. Në fakt ai kishte një besim tjetër se ushtria do të zhvillohej shumë më shpejt, dhe për këtë ai kishte marrë në ngarkesën e tij të shpinës hiq më pak se 39 kg libra për ushtrinë dhe luftën. Ky fakt deshmonë përcaktimin e tij shkencorë dhe njohurit e tij për rendësinë e literaturës ushtarake për zhvillimin e një ushtrie kryengritëse në ushtri të rregullt. Kjo brigadë veproi dhe operoi në zonën Junik - Gjocaj – Jasiq. Njësia e Agimit nuk u zhvillua në  ndonjë informacion të madhë ushtarak e aq më pak në brigade lufte. Ai me njisinë e tij mori pjesë në mbrojtje të Junikut dhe pati dy deshmorë të rënë. Pas ofenzivës Agimi me bashkëluftëtarët e tij kaluan në Shqipëri. Gjatë tërheqjes kanë ndihmuar në terheqje  popullësinë civile (refugjatë) të Junikut, Gjocaj dhe Jasiqit që iknin për Shqipëri. Në krye të tyre ka qenë Agimi duke u prirë rrugën, dhe duke eleminuar minat befasuese që kishte vendosur armiku. Ai nuk ju largua popullit në asnjë rrethanë lufte sepse ai ishte në sherbim të tijë. Humbja e një beteje nuk ishte humbje e luftës, përkundrazi, nga këtu fillonte lufta me pa mundësi të kthimit prapa në gjendje të qetësisë dhe nënshtrimit.

IV. Riorganizimi për mësymje
Pas ofensives së  verës së 1998 ai me një pjesë të vogël të bashkëluftëtarve u kthye në Shqipëri. Me të arritur ai nuk u ndal nëpër Tiranë për të shetitur pantollonat me arësyetime të ndryshme. Pas bisedave dhe vlerësimeve të gjendjes shkoi në Papaj dhe filloi riorganizimin e Brigadës duke bërë rigrupimin dhe seleksionimin e forcave. Lufta për të nuk kishte përfunduar ajo tash po hynte në një faze më të lartë dhe më të vendosur. Për kundër preokupimeve të Agimit në këtë kohë shumica e ushtarakëve të diasporës shkuan për vizita nëpër familjet e tyre në Perendim. Disa menduan se me humbjen e betejës e humbën edhe luftën apo u frikësuan nga ajo. Këta officerë “madhorë” nuk u dukën ma në MM deri në shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm.
 Te ushtarët ndjehej deshira për të qenë në një formacion me Komandant Agimin. Duhet theksuar se ai çmohej si nga ushtarët e MM poashtu edhe të UÇK. Poashtu edhe drejtuesit e UÇK kishin vlerësime positive për të. Kur bënin vlerësime negative për oficerët e tjerë, argument i tyre ishte se, pse nuk po flasim keq për Agimin e shokët e tij por për iksin e ypsilonin.

V. Përpjekjet për  një organizim më të mirë
Gjat qendrimit të tij në Papaj më ka rënë shpesh që të takohem me të dhe të bëjmë ballafqimin e mendimeve pikpamjeve për gjendjen si në MM ashtu edhe atë në Kosovë. Kemi bërë biseda vetëm, duke pas një ushtarë roje të dera që mos të na shqetsote dikush tjetër. Pastaj kur kam bujtë në Papaj ai është kujdesë që ne të shkonim me fjetë në dhomën e tij, ku vazhdonim bisedat deri para agimit. Mendojë se disa gjëra duhet të thuhen hapur nga këto biseda. Ai ishte i pa knaqur me punën në MM e cila vepronte me inercion, pa iniciativë dhe pa drejtim politikë dhe përgjegjësi institucionale. Fajsonte Kryeministrin Bukoshi që nuk e kishte rregulluar raportin e Qeverisë dhe MM me shtetin shqiptarë, por urdhëzonte të  bashkpunohej  me ish strukturat e PD të Sali Berishës.
Në këto raste kemi biseduar shumë edhe për mundësin e ndërrimeve kadrovike në MM dhe cilët persona do të kishin mundur që ti shfrytëzojnë rrethanat e krijuara maksimalisht dhe  njiherit që e njohin mirë doktrinën e luftës dhe ushtisë, si dhe filozofinë shtetformuaes. Në këto biseda është operuar me emra konkretë duke vlerësuar përparsit dhe dobsitë e personave të apostrofuar. Një mundësi e tillë e përmirësimit të gjendjes dhe kursit mund të shfrytëzohej si shkas vrasja e Ahmet Krasniqit, i cili me gjithë angazhimin nuk kishte qenë i suksesshëm.
Të gjitha këto diskutime bëheshin me të njëjtin qellim që të shfrytëzoheshin rrethanat e luftës maksimalisht dhe aftësitë e njerëzve në të mirën  e përgjithshme,  sepse ky ishte një shans që nuk përseritej më dhe gabimet ishin të pakorigjueshme.
Për fillim e përkrahte luftën guerile e cila me zhvillimin e luftës do të shëndrrohej në ushtri të rregullt. Në kuadër të operacioneve taktike ishte ithtarë i luftimit nga afër, në distance të shkurtër. Këtë e parapelqente për dy arësye: një se i fut frikën ushtrisë armike, dhe dy mbjellë ndjenjën e guximit dhe vetëbesimit të ushtarët e UÇK.

VI. Personalitet i shumëanshëm
Figura e Agimit është shumë komplekse dhe nuk duhet pare vetëm nga një anë. Si të askusht tjetër, te ai janë të grumbulluara shumë veti dhe aftësi admiruese të forces krijuese të njeriut. Ai ishte ushtarak i profilit teknik, kishte lexuar shumë për strategjinë, taktikën, luftë, ushtrinë dhe mbrojtjen, si dhe nga historia e luftrave çlirimtare.  Si rezultat i këtyre njohurive ai kishte shkruar edhe disa broshura për ngritje ushtarake (teorike dhe taktike) të ushtarëve të lirisë. Ai idhull të luftëtarit kishte heroin legjendar Skenderbeun, analiza e fotografive të bindë se edhe në dukje sikur e emitonte atë. Ai ishte poet subtil dhe shpirt i trazuem që shpethente permes vargut, duke  pasë vizion dhe ndjenjë të thellë për të ardhshmen e vendit të tij dhe të fatit personal. Ishte piktor i talentuar  dhe anëtarë i Akademisë Evropiane të piktorve, edhe në rrethana lufte nuk i ndahej pikturës si formë çlodhëse dhe krijuese në të njëjtën kohë. Ai nuk ishte vetëm njohës i teorisë së thatë, ai ishte  pjesmarrës direkt në beteja, ku tregoi shkathtësinë dhe guximin njëherësh. Ishte edhe këngëtar rrapsod që këndonte me passion  këngë nga folklori ynë, sidomos këngët e trimrisë. Poshtu ishte njohës i traditës popullore dhe vlerave kanunore. I gjithë ky opus e bënë ate një figurë poliedrike, të gjithëanshme, të aftë në shumë fusha njëherësh, që të kujton njerzit e mëdhej të renesansës, që ishin titanë të kohës së vet, të kohës së rilindjes njerzore, kur një shkenctarë në të njëjtën kohë duhej të ishte edhe kalorës i mirë dhe luftëtar i zoti në dy luftim. Ai ishte njeri i ideve dhe aksionit, ishte njeri në kuptimin e plot të kësaj fjale, njeri me nderën më të lartë, me sinqeritet të plotë dhe  me jetë spartane të ushtarakut. Vetëm njerzit me aftësi të tilla, bënë që të rikthehet besimi në forcën njerzore krijuese, si domosdoshmëri për ndryshimin e ralitetit dhe avansimin e shoqërisë njerzore.

VII. Ai ishte vetëm i UÇK
Në lokalet e MM në Tiranë, Aagimi dukej shumë rrallë, vetëm kur vinte për ndonjë punë të domosdoshme. Ishte gëzim dhe knaqësi për ne byrokratët kur takoheshim me të, që të bisedonim rreth atyre që kishin ndodhur në ndërkohë. Ai vertetë ishte në strukturë të MM, por nuk ishte në konceptin e tij që ajo të jetë një kazermë e rrethuar, e cila do të luante rrolin e ushtrisë në Tiranë për të pritë lirinë e Kosovës. Ai punonte me ushtarë me qellimin e vetëm që të futej sa më parë brenda dhe të luftonte armikun. Ai doli me disa bashkpunëtorë për të regrutatuar ushtarë nga refugjatët e Dukagjinit në Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Ai bisedoi me njerëz drejt për drejt për luftën ushtrinë dhe çlirimin. Nuk fliste për tabborre politike.  Poashtu edhe për grumbullimin e parave për brigadën e tijë ai ishte në Zvicërr, ku mbajti takime me bashkëatdhetarë. Edhe në blerjen e armëve u angazhuaa vetë. Kjo veprimtari dhe ky angazhim i Agimit tregon nivelin e organizimit të MM. Sikur ajo të funksiononte nuk kishte nevojë komandanti i një njësie të interesohej për çdo gjë sikur ti kishte ushtarët argat për livadh të babes, por sherbimet e ministriesë do të duhej ti kryenin ato veprime. Ministria nuk vepronte si institucion, sepse në krye të saj ishin individ që e kishin bllokuar punën, ose për shkak të paftësive, mos guximit apo nënshtrimit të tepërt ndaj kreut politik të LDK si dhe Kryetarit institucional Rugova, i  cili nuk po merrte vendime politike konformë rrethanave të luftës. Veprimtaria krijues, politike dhe ushtarake e Agim Ramadanit deshmojnë se ai ishte njeri i aksionit dhe luftës. Ai ishte njeriu i cili shkruante  shumë kohë para se të fillon lufta: “A mjafton/ Të presim vetëm/ E të shikojmë/ Duke larguar perden/ Për të parë si na vjen liria”/, (tetor 1994). Këto vargje janë deshmia më e mirë se ai nuk kishte asgjë të përbashkët me njerzit e politikës së durimit dhe pacifizmit. Përcaktimin e vet jetësorë do ta përseriste  edhe gjatë luftës kur  ai do të shqiptonte vargjet monumentale, që përmbajnë në vete mallkimin dhe betimin e burrit të dheut kur thotë: “/Mu shterrshin sytë nese pushoi,/ lirinë tënde me ëndrrue,/ mallkue qoftë gjaku im nese m’vrasin pa luftue”/. Dëshmi tjetër se ai ishte vetëm i UÇK është fakti se në të njëjtën kohë, ai mbante lidhje të ngushta me zonën Operative të Dukagjinit dhe gati ishte pjesë e saj, sepse ky qendrim ishte i domosdoshëm në aspektin ushtarak dhe kombëtarisht i drejtë.

VIII. Mësymja e kufirit
Së bashku kemi biseduar disa here për thyerjen e kufirit dhe efektet politike dhe ushtarake të këtij veprimi. Kufiri ishte bërë pengesë e rrezikshme për vullnetarët e lirisë, problem nuk ishte vetëm përcaktimi për luftën por edhe  se si të mrrihej te vija e luftës. Koridori ishte i domosdoshëm dhe i rendësishmëm për logjistikën e luftës. Gjat tërë luftës kishte shumë zona të çliruara dhe nën kontrollin e UÇK, por për Serbinë ishte e rendësishme të ruante tërsinë e kufijve dhe integritetin e saj, ndërsa pse kishte humbur kontrollin në disa pjesë të brendshme, atë do ta rivendoste në rrethana të përshtatshme. Precedenti do të ndodhte sikur Jugosllavisë ti merreshin nga kufiri nderkombtare edhe 200 metra katrorë.  Ajo nuk do të ishte e tëra, do të thyhej integriteti i saj. Kuptohet se rreth kësaj ideje kishte edhe arsyetime kundër, se do të merrte lufta karakter ndershtetrorë dhe do të zhvendosej vemendja nga lufta në Kosovë. Mësymja e kufirit ishte sfidë e hershme për Agim Ramadanin me shokë dhe  ajo do të ndodhte edhe pa nderhyrjen e NATO. Kjo thyrje e kufirit u përshpejtua për shkak të  fillimit të sulmeve ajrore të NATO, por nuk kreu funksion të rendësishëm ashtu si ishte menduar për rrjedhat e luftës në tërësi, por begatoi historinë e luftës së UÇK me formën e zhvillimit të saj. Ajo betejë u bë Termopila e Kosovës, ku ngelën shumë ushtarë të rënë në përpjekje për të çliruar tokën shqiptare.

IX. Rënja e Komandantit
  Beteja e Koshares është një nga betejat më të mëdha të UÇK. Ajo kishte një shrtirje të gjatë 20 kilometërshe të vijës së frontit. Kohëzgjatja e luftimeve është e madhe, nga  prill deri 12 qershor gati dy muaj, ku bijnë mbi 100 ushtarë në mbrojte të tokës shqiptare. Në këtë betejë bie heroikisht edhe Agim Ramadani poeti, ushtarku, komandanti dhe artisti luftëtarë. Agimi ishte ushtarë i pashoq, ishte jashtëzakonisht i aftë, jashtëzakonisht i guximshëm, jashtëzakonisht luftarak. Por ai kishte një  dobësi të vetën. Kjo dobësi ishte shpirti i tij luftarak i tepruar, përbuzja e tij e rrezikut. Artisti mund të vdesë nese merret me një artë aqë të rrezikshëm siq është lufta çlirimtare. Ai u takon njerëzve, të cilët është veshtirë ti arrijshë, e praktikisht e pamundur tua kalosh. Disa tentuan edhe të spekulojnë gjoja për vrasjen e tij të dyshimt. Këto thashethame nuk janë nga shokët e luftës por nga ata që qëndruan shumë larg saj ose që kanë qenë krejtësisht kundër luftës. Sikur është e befasishme që të vritet njeriu që i prin luftës, që është në ballë të saj. Rastësia duhej të ndodhte kur dikush vritet në prapavijë të thellë të saj. Nu ka quid kur dikush vritet në ballë të luftës, sepse rënja  është fat i luftëtarve, rënja është çmimi i artit të luftës.

X. Përjetësia
Pas luftës pati përpjekje se kush do ta përvetësojë Agim Ramadanin. Kjo përpjekje bazohej në të shumtën e rasteve se nga anonin shokët, bashkëluftëtarët e gjallë të tij, dhe kush do ta përfitojë simpatinë dhe përkrahjen e familjes. Kjo u vërejtë pas lufte me mbajtjen e akademive përkujtimore, qoftë për Agimin, qoftë për luftën e Koshares, ku bëhej përzgjedhja e njerëzve mbi bzën e  orientimeve  politike ose përkatësisë partiake. Në këtë kontest të përvetësimit  ka pasur rivalitet edhe në ngritjen e shtatores, e cila mund të vlerësohet, se ajo nuk ngritet për shkak të mirënjohjes për kontributin dhe sakrificën e heroit, por si përpjekje për përvetësim në kuadër të taborrit të të gjallëve. Qendrimet rreth figurës së Agimit përfundimisht mund ti përmbledhim me pakë fjalë.  Pati përpjekje që pa meritë ta përvetësojnë ata që gjatë jetës së tij, nuk kishin asgjë të përbashkët me heroin. Poashtu padrejtësisht pati qendrime injoruese nga ata që heroi i kishte bashkëluftëtarë dhe që i bashkonte lufta çlirimtare, pavarësisht nga zona e veprimit të formacionit ushtarak.  Pavarësisht nga qendrimet e të gjallëve, ai ngeli i madhë si luftëtarë dhe strateg, ngeli një komandantë legjendë. Ai ngeli i madhë si njeri dhe shqiptarë, sepse kishte marrë diçka nga madhështia e Shkelzenit, që një kohë i ndejtën karshi njëri tjetrit. Ai ngeli përjetësisht  në lartësinë e bjeshkëve të larta, atje  ku edhe verës i zbardhon bora. Ai sikur  qellimisht mbeti maje bjeshkëve larta për ti bërë përjetësisht roje Atdheut. Ai ngeli në lartësinë e reve ndoshta që të ruhej e  pa prekur figura e heroit të kombit.

Ditorja “Epoka e re”/12 dhe 14.04.2003/Prishtinë/

 

 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala