line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime
<< Mbrapa
Bisedimet dhe siguria në Kosovë
/E përditshmja “Epoka e re”, 16.11.2005, Prishtinë./
Shkruan: Ibrahim Shala – Analist politik


Pas një takimi me Kryeadministratorin Petersen, në konferencën e përbashkët të shtypit (11.11.2005), Kryeministri Kosumi  duke folur për situatën e mundshme të  sigurisë, për periudhën e bisedimeve u shprehë i bindur se: ”Nuk dëshiroj të paragjykoj  se do të ketë trazira, sepse e besoj të kundërtën, prandaj populli i Kosovës fuqimisht do të përkrah procesin e bisedave për zgjidhjen e statusit përfundimtar  dhe për këtë ka shumë arsye për të qenë i kënaqur me këtë proces”. Kjo deklaratë, si dëshirë  dhe bindje personale nuk ka të sharë, por si realitet është shumë e diskutueshme. Nëse nuk është vetëm në nivel të propagandës, atëherë  Kryeministri duhet të ketë garanci të mëdha për të deklaruar publikisht një bindje aq të fortë. Nëse këto garanci ai i ka marrë vetëm nga zoti Petersen, atëherë ato janë shumë pak të besueshme. Administrata e UNMIK për gjashtë vitet e deri  sotme, nuk ka zbardhur asnjë krim serioz në Kosovë dhe nuk ka qenë në gjendje të parandalojë asnjë të tillë.  Gjatë kohës së trazirave të muajit mars 2004, ajo ka qenë krejtësisht e pa aftë për veprim dhe jashtë rrjedhave stabilizuese. Gjatë tërë kësaj kohe edhe më pak është marrë me eliminimin e shkaqeve reale destabilizuese të sigurisë në Kosovë.
Pavarësisht prej dëshirave të mira të Kryeministrit Kosumi, në bazë të gjendjes aktuale të sigurisë, realitetit të raporteve të forcave politike dhe   të raporteve ndër etnike, është reale të konstatohet se, me vetë momentin e fillimit të përgatitjeve për bisedime edhe më tepër me fillimin e tyre,  gjendja e sigurisë do të jetë e brishtë dhe shumë delikate. Pa dyshim se fillimi i bisedimeve është prishje e statusquos gjashtë vjeçare, nëse kjo periudhë e qetësisë relative në aspektin kohor  për një moment abstrahohet, atëherë data e fillimit të bisedimeve për përcaktimin e statusit final të Kosovës, automatikisht bashkohet me datën e 12 qershorit 1999, që është dita e çlirimit të Kosovës dhe fillimi i krijimit të një realiteti të ri, e të pa definuar qartë.   
Në rrethana të një realiteti të pa përcaktuar, kur për zgjidhjen e statusit final të Kosovës janë në lojë të gjitha opsionet, gjendja e sigurisë do të varet nga faktorë të shumtë si:
Nga aftësitë drejtuese të udhëheqjes kosovare të vetë procesit të bisedimeve dhe realizimit të objektivave të proklamuara. Nga shkalla e sinqeritetit dhe transparencës së Grupit Negociator me qytetarët. Nga vlerësimi dhe bindja e  qytetarëve se gjithçka është duke shkuar mirë, se procesi po zhvillohet sipas parashikimeve dhe pritjeve të përafërta të tyre.
Nga shqetësimi në rritje i veteranëve të UÇK dhe i gjithë popullit, se si do të kurorëzohet në politikë dhe diplomaci për të mirën e Kosovës, fitorja e luftës së UÇK?! Nga qëndrimi dhe pozicionimi i grupeve dhe organizatave politike radikale dhe nacionaliste, të cilat nuk e kanë fort problem çështjen e imazhit të moderimit demokratik, por kanë fuqi instrumentalizimi dhe shfrytëzimi të situatave të pakënaqësisë.
Nga fakti se sa përgjegjësit e garantimit të sigurisë si, UNMIK dhe KFOR i kanë të kontrollueshme strukturat paralele serbe në Kosovë, si dhe nga niveli i masave që do të marrin për të garantuar këtë siguri.
Nga fakti se sa do të pengohen veprimet destabilizuese të  shërbimeve të huaja informative, të shteteve jo dashamirëse të zgjidhjes paqësore dhe të drejtë të çështjes së Kosovës.
Nëse gjërat zhvillohen në mënyrën që e forcojnë bindjen, se vërtet është duke u realizuar Pavarësia e Kosovës, ky fakt për shumicën shqiptare do të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur qetësinë dhe për të qenë të kënaqur me procesin e bisedimeve. Por i njëjti argument nuk vlen për palën serbe të Kosovës, që ka krejtësisht objektiva tjera dhe që është e instrumentalizuar në duart e Beogradit. Përveç kësaj pala serbe nuk është në pështjellim si në qershorin e 1999. Ajo sot është e organizuar dhe e konsoliduar mirë, me të gjitha mundësitë e veprimit gati në tërë  territorin e Kosovës. Aty ku i ka mundësitë e veprimit elementi radikal, do të instrumentalizojë popullatën serbe për kohë të gjatë. Është i freskët rasti i ngjarjeve të marsit 2004 kur ka mjaftuar edhe bllokimi i një rruge të vetme nga serbët lokal, për të provokuar masën e gjerë të shqiptarëve. Edhe në momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët do të bëjnë veprime me efekte të mëdha spektakli, si shpërngulje masive me kolona të mëdha të përgatitura për ikje, nga vendi  ku nuk ka më kushte dhe hapësirë për jetesë të tyre në Kosovë etj. etj.  Krijimi i një imazhi destabilizues dhe të pa qëndrueshmërisë së gjendjes së sigurisë në Kosovë i leverdisë shtetit të Serbisë, por jo edhe minoritetit serb në Kosovë.
Kryeministri Kosumi  parimisht edhe mund të premtojë qetësinë nga pala që e dëgjon ose që e ka “nën kontroll”, por jo edhe nga pala serbe që ka disponim krejt të kundërt. Prandaj është e pa diskutueshme se për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë në Kosovë duhet vullneti i dyanshëm. Në periudhën kohore të bisedimeve për sigurinë në Kosovë, më së shumti mund të kontribuojnë liderët e serbëve lokal. Ky kontribut duhet të mbështet në përpjesëtimin e drejtë të përgjegjësisë shtetformuese të shumicës shqiptare: sa më shumë gatishmëri që tregojnë serbët për integrim në institucionet kosovare, aq më shumë rritet obligim ndaj palës shqiptare, që të angazhohet për siguri më të madhe dhe ambient të sigurt për bashkëjetesë. Nga fakti se bashkëjetesa në luftë u shndërrua në fatkeqësi, në realitetin e ri bashkëjetesa duhet të kthehet, në mundësi dhe perspektivë të fatit të përbashkët të qytetarëve të shtetit të pavarur të Kosovës.
Shkalla e garantimit të sigurisë gjatë procesit të bisedimeve për statusin final të Kosovës, përfundimisht do ti takojë udhëheqjes kosovare. Kjo përgjegjësi do të varet  edhe nga fakti se sa do të jetë në gjendje, kjo udhëheqje të garantojë ndryshime pozitive për jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të sajë, në ditën pas pavarësisë së shtetit të Kosovës. Vizioni i qartë për ardhmërinë do të jetë faktori kryesor  në ruajtjen e gjendjes së sigurisë në Kosovë.

E përditshmja “Epoka e re”/ 16.11.2005, Prishtinë/

 

 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala