line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime:
<< Mbrapa
Ekstremizmi dhe politika
/E përditshmja “Epoka e re”, 16.11.2005, Prishtinë./
Shkruan: Ibrahim Shala – Analist politik

 

Pas arrestimeve të ditëve të fundit, nga zyrtarët e lartë nderkombëtarë të KFOR dhe  të UNMIK u dëgjua një konstatim se: në Kosovë nuk ka organizata ekstremiste por individ ekstremist, ndërsa ne po arrestojmë vetëm ekstremistët. Një konkluzion i tillë nuk ka mundësi të kaloj pa provokuar logjikën politike. Sepse edhe studentët e vitit të parë të sociologjisë e dijnë se, për të ekzistuar individi me pikëpamje ekstremiste, si parakusht duhet të ekzistojë dhe frymojë idea (ideologjia) ekstremiste. Që të ekzistojë individi me veprime ekstreme, duhet të ekzistojë edhe organizata e tillë. Individi ekstremist pa këto parakushte  nuk ka mundësi të jetë i tillë, ose ai (individi apo organizata) shpallet si ekstremist nga pushtetmbajtësit për nevoja të konjukturave politike. Personat e arrestuar  në Kosovë janë arrestuar si ekstremist, por ky ekstremizëm nuk deshmohet me asgjë. Edhe më keq ky ekstremizëm nuk deshmohet me argumente dhe në bazë të tyre, bartësit e tillë të vlerësohen si të rrezikshëm për shoqërinë e sotme. Përkundrazi në mbështetje të të arrestuarve bëhen çdo ditë e më tepër protesta të mëdha popullore, ku kërkohet  lirimi i  tyre. Ata cilësohen në kohën e tashme si ekstremist (kur në fakt ata bënin një jetë të qetë private), kurse arësyetimi bëhet për veprimet ekstreme të kohës së luftës.
Dihet se lufta nuk është dasëm dhe ajo nuk zhvillohet me dorëza të bardha. Lufta në esencë është vetë një veprim ekstremist, bëhet me mjete ekstreme (armët e mundshme) për të arritur një qellim jo çdoherë ekstrem. Në bazë të kësaj logjike të gjithë pjesëmarrësit e luftës mund të shpallën ekstremist. Dihet botërisht se lufta e UÇK ishte luftë e drejtë, sepse ishte luftë çlirimtare  e popullit shqiptarë të Kosovës.
Ne jemi deshmitarë të gjallë të ngjarjeve të luftës, kur NATO dhe UÇK ishin aleatë që luftonin kundër Serbisë me të gjitha mjetet ushtarake të disponueshme. Atëherë për shkak të luftës, mjeteve dhe efekteve të tyre, sipas kësaj logjike edhe NATO duhet të shpallet ekstremiste. Në kësi përfundime kontradiktore arrihet kur në menyrë jo parimore, jo profesionale, ngatërrohet logjika e luftës me logjikën civile dhe spekulimet politike.
Atëherë del se  nuk është duke u denuar ekstremizmi fiktiv i sotëm, por lufta çlirimtare për qellime të caktuara që i dijnë vetëm nderkombtarët. Në disa raste ata e thonë hapur se arrestimet bëhen për krimet e luftës që kanë bërë disa komandant të UÇK ndaj civilëve bashkëkombas. Dihet se lufta është zhvilluar në mes shqipatrve dhe Serbisë, se kjo e fundit ka bërë krime shtetërore, ka bërë gjenocid dhe ende nuk merren nderkombëtarët me zbarrdhjen e krimeve dhe denimin e kriminelve. Arrestimet e fundit po bëhen sipas preferencave (nderhyrjeve) të politikës serbe të Beogradit,  e tërë kjo lejohet nga nderkombëtarët për të fituar mbështetjen e tyre dhe për të bërë gjoja ekulibra me terrorizmin shtetrorë serb, për të barazuar gjelatin me viktimën.
 Ata me perfiditet na fusin si shkallë të parë të sqarimit dhe denimit, gjoja çështjen e krimeve të luftës brenda shqipatre, vetëm që kanë harruar që të thirren në të drejtën zakonore të hakmarrjes sipas Kanunit. Efektet e një politike të tillë të nderkombëtarve pa dyshim se do të jenë negative për Kosovën sepse:

  1. shoqëria kosovare do të  paraqitet si një shoqëri jo e sigurt, pa stabilitet dhe  konfliktuoze;
  2. angazhohen që vijën e butë ta  fuqizojnë dhe ta dobsojnë vijën e fortë (sipas tyre ekstremiste), që ta kenë më lehtë të vendosin (ose të mos vendosin) për statusin final të Kosovës;
  3. që shqiptarët edhe shumë kohë  ti shterrojnë energjitë  duke u marrë me vetvetën e jo me të ardhmen e tyre;

Është normale që njerzit e ndryshëm të kenë qendrime të ndryshme ndaj luftës. Në rrethana lufte ata mund të klasifikohen në: skiftera dhe pëllumba, kapitullant dhe ekstremist (çlirimtarë), në patriot dhe trathtarë (kolaboracionist) etj. Këto klasifikime janë universale prej si ekzistojnë luftrat dhe nuk janë klasifikime vetëm për luftën e Kosovës. Edhe në rrethanat e pas luftës ekziston vazhdimësia  e ndarjeve të luftës dhe për luftën. Sot si pacifist vlerësohen të gjithë ata (krahu) që duan të ruajnë gjendjen ekzistuese dhe demokratët (apo krahu i luftës)  cilësohen të gjithë ata që angazhohen për  avancimin dhe ndryshimin pozitiv të gjendjes ekzistuese. Në rrethanat e tashme nuk ekzistojnë kurrfarë elemente konkrete që të flitet për radikalizëm apo ekstremizëm politik në Kosovë. Kur nderkombëtarët flasin për ekstremizëm atëherë logjikshëm shtrohet pyetja: në raport me kënd ekziston ky lloj (shfaqet) ekstremizmi? Cila është zero pika e boshtit politik? A po si pikë të tillë ata vlerësojnë objektivat dhe veprimet e tyre?! Apo është teoria e Kosovës multietnike?! Me standarte të dyfishta,  politikë të ngurtë dhe me veprime arbitrare (plus kundërvënja e vendorve)  nuk është e çuditshme  që UNMIK pas tri vjetëve të suksesit evidentë në Kosovë, të fillojë  ta kompromitojë këtë sukses dhe ta kthej në deshtim, me këtë rast në mënyrë të pashmangshme do ta fuste Kosovën dhe vetën në një rreth të ri vicioz.  Sepse duke e luftuar ekstremizmin fiktiv në menyrë tendencioze ai është bërë edhe vetë ekstremist.
Në fund të fundit shifet se të gjitha veprimet  çojnë  te lufta, bartësit e saj dhe efektet politike të saj në vend dhe rajon. Duke e ditur se ky popull dhe ky vend  ka përjetuar një  luftë të madhe  pasojat e së cilës i ndeshim çdo ditë në të gjitha fushat e jetës, është momenti vendimtarë që Parlamenti Kosovës të aprovojë një Rezolutë apo Deklaratë  për luftën çlirimtare në Kosovë, për UÇK, për misionin  e saj historikë, bartësit dhe  ndryshimet pozitive që dolën nga ajo. Të dihet qartë se a fituan shqipatrët nga lufta apo humbën? A ishte ajo e domosdoshme apo një aventurë? Nga një deklaratë e tillë  do të mund të nxirreshin edhe ligjet përkatëse për statusin e veteranëve të luftës, invalidëve të luftës, familjeve të deshmorve, dëmeve të luftës etj. Është mëse e nevojshme për shkak të qendrimeve të ndryshme gjat zhvillimit të saj, që më në fund lufta të trajtohet në paqe në mënyrë institucionale. Vetëm në këtë mënyrë lufta do të përfundonte aty ku ka përfunduar (qershor 1999) dhe jo të na ndjek në çdo hap dhe të ngelet e papërfunduar edhe për shumë vite.

Ditorja “Epoka e re” 17.08.2002 Prishtinë 

 

 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala