line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime
<< Mbrapa
Peng i kujt është Fatmir Limaj
/E përditshmja “Epoka e re”, 16.11.2005, Prishtinë./
Shkruan: Ibrahim Shala – Analist politik


Në harkun kohor prej ditës së çlirimit me 1999 e deri në momentin e definimit të statusit final të Kosovës, qendrat vendimmarrëse evropiane i kishin vënë vetës për detyrë, që të bënin balancimin e luftërave të kaluara mes Serbisë dhe Kosovës, si në aspektin e nivelit të krimeve po ashtu dhe në burgosje të drejtuesve të luftës. Ky paralelizëm bëhej  me bindjen se kjo do të shtendoste marrëdhëniet shqiptaro – serbe. Në funksion të këtij qëndrimi, u provua të bëhet barazimi i pa drejtë i luftës çlirimtare të UÇK, me luftën gjenocidale të Serbisë. Kjo bëhej me qellim që të kriminalizohej lufta e UÇK dhe luftëtarët e lirisë, si pjesëtarë të saj. Nga këto qendra nuk pranohej karakteri i pastër çlirimtar i luftës së UÇK, sepse  realiteti i ri i krijuar pas luftës, do të nënkuptonte (determinonte) edhe definimin statusit final, shtetin e pavarur të Kosovës.
Këto konstatime na shtynë të konkludojmë  se Fatmir Limaj ishte peng dhe viktimë e koniukturave të politikës ndërkombëtare. Ishte pengë dhe viktimë e mos gatishmërisë së faktorit ndërkombëtarë  për definimin e shpejtë të statusit final të Kosovës. Patjetër duhej të dëshmohej se në Kosovë është bërë luftë e pa pastër kriminale edhe nga ana e shqiptarëve, prandaj duhej gjetur dhe dënuar fajtori viktimë. Nga komandantët e UÇK dikush duhej  të dënohej, gjoja që  të fitohej lojaliteti i minoritetit serb dhe të bëhej integrimi i tyre në institucione qendrore të Kosovës. Me këto arrestime pretendohej se do të rritej ndjenja e sigurisë tek minoriteti serb, duke ju dëshmuar se ish luftëtarët e UÇK nuk paraqesin rrezik, se ata nuk janë ma të paprekshëm nën administratën e UNMIK. Vetëm duhej një figurë publike që i plotësonte kriteret bindëse, dikush që dje kishte qenë eprorë i lartë i UÇK, sot një figurë politikani, sepse efektet e spektaklit do të ishin më të mëdha. Çekani i madh i “drejtësisë” ndërkombëtare, me ndihmën e shtetit serb dhe të servilëve të tyre shqiptarë, do të bije mbi Fatmir Limën. Një gjë tash është e sigurt, se ai nuk u arrestua për shkak të kaluarës së tij, por për shkak të së tashmes dhe   të së ardhmes së tij dhe të Kosovës. Ra gishti mbi emrin e Fatmirit,  sepse aftësia politike dhe fuqia bindëse e personalitetit të tij, për ndërtimin e unitetit ndërpartiak i pengonte shumë qendra antishqiptare.
Në përgjigje të disa hamendësimeve dhe përfoljeve që bënin pala serbe dhe disa ndërkombëtarë të UNMIK, se edhe nga shqiptarët janë bërë krime lufte, në  paraqitjet publike ai disa here pat deklaruar me vendosmëri se: “Pavarësia dhe ardhmëria e Kosovës, nuk duhet të jetë peng e fatit të një individi qoftë ai edhe Fatmir Limaj”. Kjo vendosmëri më së miri u dëshmua në deklaratën e tij drejtuar kombit përmes mediave ditën e arrestimit (vetë dorëzimit), ku fjalët e tij “ …se edhe njëqind jetë ti kisha, të gjitha do ti vija në shërbim të Kosovës…” jehuan gjatë në çdo familje shqiptare. Ky qëndrim burrnorë dhe dinjitoz tek të gjithë shqiptarët ngjalli emocion dhe respekt, ngjalli ndjenjën e solidaritetit dhe mirënjohjes për sakrificën e tij të re, në emër të Kosovës. Kjo sjellje tregonte vetëdijen dhe përgjegjësinë e  lartë të funksionarit politik, që ende politikën nuk e kishte perceptuar vetëm si profesion, por si veprimtari kombëtare. Ai ishte i bindur se ende nuk e kishte përfunduar misionin e tij në shërbim të Kosovës, sepse ai rastësisht ishte gjallë dhe koha kërkonte ende sakrifica. Ai nuk do të kursehej dhe nuk do të hezitonte, do të shkonte me dinjitet drejt sakrificës së re. Me dorëzimin vullnetar ai do ti kontribuonte afrimit të Kosovës me Evropën, duke treguar vetëdijen e shtetarit, të politikanit që respekton ligjin, të njeriut institucionalist, sepse në momentin e arrestimit ai ishte kryetar i grupit parlamentarë të PDK. Akti i dorëzimit vullnetar ndodhte në kohën, kur  shtetet e ish RFJ nuk tregonin gatishmëri për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës për kundër presioneve dhe joshjeve që u bëheshin. Ky ishte shërbimi i fundit që mundi ti bënte Fatmir Lima Kosovës pa u privuar nga liria. 
Fatmir Lima e dinte se Gjykata e Hagës është gjykatë e themeluar me qëllime politike, megjithatë ai u dorëzua pa hamendje, jo se   kishte besim në drejtësinë dhe pa anësinë e saj, por sepse ai kishte besim në pafajësinë e vet, sepse ai më mirë se të gjithë e njihte vetën. Pikërisht ky argument është shkaku që e ka shtyrë Fatmirin, gjatë seancave gjyqësore të jepte sqarime të hollësishme edhe të tilla që nuk i kërkoheshin. Ai jepte sqarime të hollësishme, sepse ai më së miri e kishte kuptuar skemën e funksionimit dhe pikën e dobët të Prokurorisë së Tribunalit Ndërkombëtarë. U pa botërisht se prokuroria gjatë përgatitjes së aktakuzës nuk kishte mundur për të dëshmuar fajësinë që i ngarkohej Fatmirit, por me këmbëngulësi kërkonte nga ai, që të dëshmonte pafajësinë e vet. Në të gjitha rrethanat një gjykim është politik, atëherë kur prokuroria nuk është e detyruar të dëshmojë fajësinë e të akuzuarit,  por i akuzuari është i  detyruar të dëshmoj pafajësinë.
Janë shumë argumente të natyrës politike, ushtarake dhe të luftës, që të imponojnë pashmangshëm konkluzionin logjik, që duhet besuar objektivisht në pafajësinë e Fatmir Limës:
1). Se vetëdija  e lartë politike dhe kombëtare e një komandanti të një ushtrie kryengritëse (çlirimtare) siç ishte UÇK, nuk lejon veprime antinjerëzore dhe krim ndaj popullsisë së pafajshme civile. Një qëndrim i tillë imponohet për faktin se ushtrisë së re kryengritëse e lindur nga populli mbi sistemin vullnetarë (jo e mobilizuar nga makina shtetërore) i duhet vazhdimisht përkrahja e tij, sepse ajo vetëm aty e ka mbështetjen dhe fuqizimin e saj. Edhe këtu vlen fjala e urtë se, askush me mend në kokë nuk e pret degën mbi të cilën qëndron vet.
2). Drejtuesit e lartë të një luftë çlirimtare, kryengritëse, bëjnë maksimumin që në fushën e politikës ndërkombëtare, sidomos nga fuqitë e mëdha të fitohet përkrahja  për luftën e drejtë të domosdoshme, për luftën e pastër dhe për objektivin më njerëzorë, lirinë.
3). Për të mundur një armik shumë herë më të fortë, objektivi më i rëndësishëm është që edhe në fushëbetejë të fitohet përkrahja ushtarake e aleatëve të mundshëm, në rastin e UÇK duhej  fituar përkrahjen konkrete të Aleancës Veriatlantike të NATO. Kjo mbështetje qoftë nga faktori i brendshëm ose i jashtëm, nuk fitohet me vepra kriminale dhe veprime çnjerëzore, por me korrektësi, me sakrificë, me imponim të shembullit personal pozitiv, me drejtësi dhe humanizëm, aq sa lejojnë rrethanat e luftës.
Kjo vijë argumentimi është shumë e pranueshme për ekspert ushtarak, për oficer  të karrierës, luftëtarë të luftërave të ndryshme dhe  teoricienë të artit luftarak. Kjo vijë argumentimi njerëzit e pa anshëm i bënë të besojnë në pafajësinë e Fatmir Limës dhe ti besojnë deklaratat e tij në gjyq. Në kushtet luftarake të ushtrisë vullnetare çlirimtare, për njohësit e rrethanave, paradoksi më i madh është akuza për gjenocid. Aq shumë lakohet kjo fjalë, sikur askush nuk ka lexuar një fjalor apo enciklopedi, që sqaron këtë nocion në aspektin teorik dhe praktik. Si ka mundësi të klasifikohet një akuzë për  gjenocid,  kur viktimat e pretenduara nga prokuroria, mund të  numërohen në gishta të duarve. Vërtet edhe improvizimet e kanë mjeshtërinë e tyre, por jo deri në këtë pikë të shkon paturpësia dhe pretendimi i njëanshmërisë politike. Gjatë gjykimit nuk u dëshmuan pretendimet kryesore të akuzës; nuk u dëshmua  ekzistenca e kampit të Llapushnikut, as përgjegjësia komanduese e Fatmirit, sepse ai asnjëherë  nuk kishte qenë  komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Një prej sprovave (vlerave) më të rëndësishme të pjekurisë politike dhe ushtarake të UÇK, ka qenë mos veprimi hakmarrës i imponuar nga metodat e veprimit barbar dhe kriminal të ushtrisë serbe, përkundrazi ajo veproi në përputhshmëri të plot me rregullat e luftës, duke respektuar robërit dhe popullsinë civile.
Gjatë kohës së  zhvillimit të seancave gjyqësore në Hagë bëhej komentimi dhe vlerësimi i lirë mes qytetarëve, dashamirëve dhe shokëve të Fatmirit, komentoheshin sjelljet, përgjigjet, debatet, konfrontimet deri edhe emocionet, duke ngatërruar shpesh faktin, se nuk është krejt njësoj të jesh në pozitën e të akuzuarit, me pozitën komode të dëshmitarit.
Gjatë gjykimit kanë qenë tre faktorë që kanë kushtëzuar dhe vështirësuar  qëndrimin dhe  strategjinë mbrojtëse të tij:
1). Fatmiri gjatë tërë kohës së zhvillimit të seancave gjyqësore, ishte i detyruar të mbrohej nga konstruksionet shumë perfide të prokurorisë, të dëshmojë pafajësinë e vet edhe  për detalet më të vogla, për çështje të pa rëndësishme deri në banalitet.
2). Ai vazhdimisht duhej të ishte në nivelin e detyrës së ish eprorit të lartë të UÇK që e ngarkonte të mbronte luftën, drejtësinë, domosdoshmërinë e saj, dinjitetin e UÇK si strukturë  dhe pjesëtarët e saj si individ konkret.
3). Në të njëjtën kohë ai duhej të njihte dhe të respektonte gjykatën e Hagës, si qëndrim i përgjithshëm i politikës kosovare, në emër të vetëdijes shtetëformuese, dëshmisë së pjekurisë dhe vendosmërisë për tu integruar në Evropën e bashkuar demokratike.
Është shumë e vështirë për ti arritur të gjitha këto efekte njëherësh, këtë kurs ka mundur ta mbajë vetëm Fatmir Limaj, duke ju lehtësuar shumë punë edhe dy bashkëvuajtësve të vet Haredin Balës dhe Isak Musliut. Këtë nivel atij ia ka mundësuar përvoja ushtarake, përgatitja profesionale prej juristi si dhe  vetëdija e lartë politike.
Duke shprehur pakënaqësinë me mos lirimin e Fatmirit për mbrojtje në liri (pas përfundimit të seancave dëgjimore), kemi besim të thellë, se gjykata do të bie vendimin e drejtë. Vendim të  bazuar në fuqinë e fakteve dhe argumenteve, vendim që do ta lirojë si të pafajshëm Fatmirë Limën. Vendim që do ti mundësojë të kthehet në Kosovë, të vazhdojë jetën e lirë pranë familjes, të jap kontributin e tij në parti dhe në jetën politike të vendit. Lirimi i Fatmirit padyshim se do të kontribuonte shumë në stabilizimin e brishtë të gjendjes së sigurisë dhe përparimit të procesit politik në përgjithësi.
Sigurisht se Fatmir Limaj i ka munguar shumë zhvillimeve politike të Kosovës, sepse ai kishte formuar personalitetin e tij prej politikani, që impononte respekt jo vetëm brenda PDK, por edhe tek kolegët e partive tjera politike. Ai ishte figurë që mbillte besim, figurë që ofronte, sepse e kishte aftësinë të imponohej me modestinë e çlirimtarit. Nuk ka dyshim se mungesa e një politikani tolerant, me iniciativë dhe me kredibilitet të madh, në rrethanat çfarë po kalon Kosova e ka dëmtuar skenën politike kosovare.
Duke besuar në drejtësinë si instrument, si aspiratë dhe mundësi, shpresojmë fuqishëm se ai shumë shpejtë do të vjen për të përjetuar pavarësinë dhe për të ndërtuar shtetin e lirë demokratik të Kosovës. Shqetësim i joni duhet të jetë, se a do të mundet populli i Kosovës ti organizojë pritje madhështore, njeriut që bëri histori. Ti organizojë pritje Fatmir Limës, që edhe vet u bë histori.

E përditshmja “Epoka e re” /Prishtinë, 31.10.2005/

 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala