line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime
<< Mbrapa
'Kundervenie Karl Bildit' - "Pa dezintegrim nuk ka integrim"

Botuar në “Gazeta e re” nga 22 – 27.02.2001, Prishtiė

 

Reagim në shkrimin e Karl Billdit botuar në “Gazeta e re” të datës 5 dhe 6 .02.2001 me titull “Një mundësi për Ballkanin”

Sigurisht se z. Billt si i ngarkuar i OKB-së për Ballkanin, ka njohuri të duhura për historinë, të sotmen dhe specifikat e tjera që e bëjnë Ballkanin të jetë Ballkan. Për shkak të misionit dhe kërkimit të zgjidhjeve (vendimeve) conzensuale të fuqive të mëdha për rajonin e trazuar,  ai në mënyrë “dashamirëse” për zgjidhje të çështjes së Kosovës na ofron shtratin e Prokrustit. Edhe kur jemi të pafuqishëm për të ndërruar vendimet e të mëdhejve na duket sikur kemi bërë punë të madhe  duke u treguar atyre, se gjella e servirur është e pa kripë. Prandaj  në rastin konkretë konstatimet  sipërfaqësore dhe tendencioze nuk mund t’i gëlltisim symbylltazi për sheqerka. Shihet se z. Billt ka lexuar shumë për Ballkanin, por ai nuk ndjen dhe nuk mund të ndjejë si ballkanas, përndryshe nuk do të  bënte konstatime të përcipta si në vijim:
 “ Kombet ekzistojnë si në kohë, shtu edhe në hapësirë: pa një analizë të thellë për ta kuptuar të kaluarën, do të jetë e vështirë për ta hartuar një të ardhme”
Pajtohemi plotësisht me konstatimin se kombet ekzistojnë në kohë dhe hapësirë. Po çfarë të bëhet me faktin (me të keqen) që ato ekzistojnë ? A janë kombet vetë problemi, apo duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së tij. Nese ne nuk duam t’a shohim problemin kjo nuk do të thot se ai vërtetë nuk ekziston. Problemi i kombeve në Ballkan ekziston që nga krijimi i tyre, sepse çështja kombëtare asnjëherë nuk u trajtua drejtë dhe nuk pati ndonjë përpjekje serioze që t’i shkohet deri në fund. Shkaqet janë të shumta;  herë për shkaqe koloniale, herë për ato hegjemoniste , ideologjike, klasore,  për shkak të ruajtjes së skemave të sistemit bipolar të sigurisë kolektive dhe së fundi për shkak të rindarjes së sferave të interesit pas rënies së komunizmit. Prandaj çështjen kombëtare në Ballkan   duhet trajtuar në thellësi, me guxim, pa prejudikime e paragjykime për kombet dhe vendet. Nuk duhet për të shpikur zgjidhje të reja, sepse parim universal i të drejtës së kombeve për vetvendosje ekziston dhe është i njohur nga OKB-ja. Zbatimi i këtij parimi  është  imperativ i kohës për të myullur përfundimisht një cikël historik të krijimit të shteteve njënacionale dhe nuk guxonë të ngelët vetëm në nivelin e konstatimeve.  
 “ Në pjesën tjetër të Europërs “ gdhendja “ e një shteti-komb, sipas primit uilsonian të vetëvendosjes, ishte e thjeshtë, ndërsa në Ballkan ishte në kufijtë e të pamundurës”.
Pse  vallë në Ballkan të ketë qenë kaq e vështirë çështja e shtetit-komb kur ka ekzistuar formula e zgjidhjes? Gjatë historisë Ballkani ka qenë i pushtuar nga perandori të shumta, por këto pushtime nuk janë bërë deri aty ku ishin kufijt e nji entiteti (populli) të caktuar, por deri aty ku mberrinte forca e armës pushtuese. Në kohë u trasheguan kufijtë që ndryshonin nga shtrirja gjeografike e kombeve, prandaj për këtë shkak në Evropë luftrat e fundit çlirimtare janë në Ballkan. Edhe popujt (kombet) e Ballkanit kishin teritorin etnik dhe historinë e tyre. Parimi uillsonian nuk u zbatua për shkak të ndërhyrjes së forcave të mëdha në çështjet e Ballkanit duke favorizuar një komb në dëm të tjetrit. Shembull tipik i një qendrimi të tillë është trajtimi i çështjes shqiptare. Nga fuqitë e  mëdha të kohës, asnjëherë nuk pati një konferencë ndërkombëtare ose traktat me të cilin do të caktoheshin vetëm kufijtë e shtetit (kombit) shqiptar edhe pse ai në fakt ishte pranuar nderkombëtarisht. Kufijtë e Shqipërisë londineze (1912) janë caktuar ( më saktë kanë ngelë) duke i caktuar kufijtë e Greqisë dhe Serbisë d.m.th. nga ajo që “teproi” u themelua shteti i sotëm.   Ngjarjet që u zhvilluan më vonë në rajon vërtetuan katërcipërisht se  për shqiptarët ende nuk ka marrë fud procesi i zgjidhes së çështjes nacionale. 
 “ Forcat nacionaliste, që panë mundësinë e krijimit të  shteteve-kombe, u zgjuan dhe frika e së kalurës papritur u shndërrua në një forcë politike të fuqishme.Me të vërtetë, konfliktet e dekadës së fundit më shumë u udhëhoqën nga frika se sa nga urrejtja”
 Zoti Billt nuk është aspak bindës kur jep spjegimin se krijimi i shteteve komb është bërë  për shkak të frikës nga e kaluara dhe urrejtjes. Nuk mund të spjegohet një çështje kaq komlekse vetëm me kategori psikologjike  siq është friga dhe urrejtja. Duhet pranuar se shkaqet janë më të thella. Problemi ishte se shteti titist (RSFJ) që ishte një perandori e kuqe, nuk i kishte dhanë zgjidhje të duhur çështjes kombëtare. Ai në emër të  komponentës ideologjike dhe asaj klasore e kishte konzervuar  gjendjen nacionale, u kënaq me disa zgjidhje skematike dhe artificiale;  me konstituimin e 6 republikave dhe 2 krahinave. Kjo ishte një zgjidhje politike e problemit  por jo nacionale, sepse nuk u rrespektua askund parimi etnik dhe gjeografik (perveq kufiri kroato-slloven). Edhe në këtë “zgjidhje” u patë shumë kujdes që të knaqëshin apetitet hegjemoniste të Serbisë. Dihet se susta e ndrydhur pret rastin që të çlirohet. Për shkak të dobësimit të faktorit koheziv ideologjik, klimës së krijuar pas rënjes së bllokut të vendeve socialiste dhe nga vlimi i mrendhshëm, shpërtheu  kazani i konfrontimeve nacionale në Jugosllavi, që qoi deri në dezintegrimin e pashmangshëm të saj. Në fakt ky dezintegrim nga elementet (popujt) konstituiv u përjetua  si çlirim naconal.
 “ Duke qenë se struktura politike e Jugosllavisë u shkatërrua, çështjet e vjetra për krijimin e shteteve-komb dhe “ vizatimi “ i kufijve të këtyre shteteve u hodhën edhe njëherë në tavolinë për diskutim. Secili grup donte të ishte mazhoritar në shtetin e tij dhe asnjë grup nuk dëshironte të ishte minoritar në shtetin e një grupi tjetër”
Pjesa e parë e pohimit është e drejtë. Çdo komb në  teritorin (shtetin) e  vet duhet të jetë mazhoritarë (shumicë),  sepse  për ndryshe  nuk do të kishte kuptim  formimi i shtetit të ri. Problemi fillon  me pohimin e fundit ku asnjë grup  nuk deshiron të jetë minoritar  në shtetin e tjetrit. Në fakt këtu nuk ka ndonjë problem parimor (esencial), sepse  kur  grupet etnike  janë vertet minoritete, ato nuk mund  edhe të shkaktojnë probleme reale  në kuadër të shumicës. Këtu qendron vetëm problemi i minoritetit serb, që ka ngelë jashtë teritorit të Serbisë së ngushtë (reale). Për shkak të pozitës dhe politikës hegjemoniste   në ish RSFJ, serbët  e trajtonin veten  si popull i zgjedhur nga  perendia dhe  komb superior. Të mësuar  me privilegjet  e pushtetit  ata  e kishin  të vështirë të pranonin  realitet e reja  dhe statusin  e tyre real në shtetet që po lindnin.  Kësaj duhet shtuar edhe faktin  se serbët ishin instrumentalizuar  me ideologji  ekspansioniste me slloganin e njohur: se Serbia është deri  aty ku ka edhe një serb të vetëm. Kjo logjikë e zbatuar me konsekuencë nga kreu i Serbisë, patjetër që do të qonte  në luftë  me popujt e tjerë  të ish federatës.
 “Nuk  do të ketë një paqe të vërtetë në rajon përderisa të pranohet një marrëveshje politike midis popullit të Kosovës, të gjitha vendeve në rajon, duke përfshirë këtu edhe Serbinë me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Pajtohemi plotësisht se është e veshtirë marrëveshja në rajon për krijimin e shtetit të  Kosovës. Këtu problemi më i madh del marrëveshja me Serbinë dhe Këshillin e Sigurimit.  Në fakt po të gjindet marrëveshja me Serbinë, pengesa e dytë do të zhduket automakisht.  Atëherë realisht ngelë vetëm problemi i marrëveshjes me Serbinë. Këtu aktualisht komplikohet puna  për shkak të vetëdijes së deformuar politike dhe historike serbe.  Realisht në Ballkanë kanë ngelë pa u zgjidhur çështja shqiptare  dhe çështja serbe, por kuptohet nga pozita të kundërta. Sepse te këto dy kombe ende nuk ka përfunduar procesi i formimit të shteteve një nacionale. Serbia dhe serbët një herë ishin dominues në mretërin e SKS, pastaj në ish RSFJ, ata ende nuk i kanë përjetuar (mësuar) dimenzionet reale   të shtetit serb dhe të jetojnë në shtetin një nacional. Ndarja me Kosovën atyre sigurisht se  u shkaktonë “dhimje” e aq më tepër kur është ndarja e fundit me luftë, sepse të gjitha humbjet e më parshme identifikohen (fakturohen) me rastin fundit, me Kosovën. Ndarja me marrëveshje e Kosovës nga Serbia mund të ndodhë  vetëm atëherë  kur të vetëdijesohet politika serbe, se liria dhe pavarësia e Kosovës janë kusht për vetë lirinë  dhe pavarësinë  e Serbisë. Sepse liria dhe ekzistenca e një populli nuk mund të jenë çështje e mbrendshme e një populli tjetër. Shembulli më i mirë mësimdhënës është rasti i Izraelit dhe Palestinës. Mendoj se pikërisht në këtë drejtim  duhet të ndihmohet Serbia nga faktori nderkombëtarë, që ajo të ndergjegjësohet për perspektivat e vet shtetit serb.
“Pjesa më e madhe e atyre që banojnë në Kosovë dëshirojnë një shtet të tyrin të pavarur, por opinioni i pjesës më të madhe i vendeve të rajonit, me përjashtim të Shqipërisë dhe pjesës shqiptare të Maqedonisë, është se kjo do të ishte e rrezikshme dhe dëstabilizuese”
Pavarësia e Kosovës do të thotë edhe liri për popullin e saj. Përse liria jonë duhet të jetë destabilizuese  dhe e rrezikshme për rajonin? Kjo çështje më tepër është argumentim  filozofiko -  politikë sesa argumentim logjik konkret.  Liria jonë mund të jetë destabilizuese  për lirinë e të tjerve në rajon vetëm atëherë, kur të tjerët  e kanë ndertuar lirinë e tyre  mbi lirinë (robërinë) tonë. Nese flitet për rajonin atëherë  liria për të gjithë popujt  e rajonit  duhet të jetë një dimensionale, universale  dhe jo me standarte të dyfishta. Përndryshe ajo nuk është liri por e kundërta e saj.
 “ Ne s’mund të rivizatojmë kufijë duke krijuar shtete të vogla e të pastëra etnike. Ne nuk do të mbijetojmë si rajon nëse etnia bëhet i vertmi justifikim për krijimin e shtetit”.(z. Billt citon kryetarin e Maqedonisë, Trajkovskin)
Nese rajoni përimtohet  për shkak të kombeve të vogla dhe si pasojë krijohen shtetet e  vogla, është e pakuptimtë  dhe spekulative  të kërkohet shkaktari i dezintegrimit te vogëlsia e kombeve. Asnjë komb nuk është fajtorë pse është i vogël në raport me të tjerët. Ai është i madhë  për vetëvetën  dhe për shkak të  identitetit të tij është  i barabartë me të tjerët ( me më të mëdhenjët). Por për kryetarin e Maqedonisë kemi “mirëkuptim”  sepse atij i ka “rastisë”   që në emër të kombit të vogël të qeverisë shtetin e madh maqedon. Do të ishte e dobishme dhe emancipuese për vetë maqedonët që të mësojnë dimensionet reale të kombit të tyre dhe hapësirës demografike që e mbulojnë dhe nga e verteta të mos ndihen inferior dhe as të frustruar. Prandaj Maqedonia duhet të kërkojë zgjidhje (shpetim) te ndryshimi i postulateve të përgjithshme të kushtetutës së vet një nacionale dhe majorizuese, e jo të destabilizohet ose frikësohet  nga liria e shqiptarëve. Sepse arësyetimet e tilla  nuk janë argumente gjeopolitike, por diagnozë e sëmundjes kronike nga albanofobia.
Z. Billt vazhdon me këshillat e tij moralizuese dhe recetat e gatshme, për  çështjen nacionale, për Ballkanin dhe ardhmerinë e tij:
 “Pranimi në klub për të arritur ndonjë progres drejt vetëstabilitetit në Ballkan, drejrtuesit politike duhet të heqin dorë nga shqetësimet e shekullit të kaluar lidhur me kufjtë dhe shtetet-kombe dhe të përqafojnë konceptin e integrimit ndërkombëtar që do të karakterizojë Europën në shekullin e 21”.
Është e lehtë të moralizohet dhe të thuhet  që të hiqet dorë në emër të modernitetit nga shqetësimet  e shekullit të kaluar. Problemi qendron në faktin se shekulli 21 nuk filloi nga hiqi,  në fletë të bardhë. Ai po bartë me vete problemet e pazgjidhura  të shekullit 20,  ashtu si ky i fundit i ka bartur problemet  e pa zgjidhura të shekullit 19. Këto probleme janë bartur sepse kur është dashur të zgjidhen drejtë, fuqit e atëhershme i kanë heshtë  dhe i kanë prolonguar, me logjikë të njëjtë sikur se e juaja sot z. Billt. Me çdo kusht ju doni për të konzervuar  procesin e krijimit të shteteve – komb. Dhe ate e bëni në emër të integrimit  modern evropian. Por duhet të jeni të bindur (pavarësisht nga qellimi i mirë i juaj) se nuk do të ketë integrim të  Ballkanit në Evropë,  pa dezintegrimin e tij përfundimtarë në baza nacionale apo të shtetit komb. Pas perfundimit të këtij procesi  do të filloj integrimi (sio interes i dyanshëm) i Ballkanit në Evropë  si proces, sepse edhe ky Bashkim Evropian nuk është  akt i njëhershëm por rezultat i një procesi më të gjatë.
 “Që nga rënia e murit të Berlinit, Europa ka vendosur që të arrijë stabilitetin dhe paqen nëpërmjet një politike të integrimit të njohur gjerësisht si Bashkimi Europian”.
Në Evropë nuk mund të ketë paqe  derisa  në një anë  të saj të ketë popuj (kombe)   të pushtuar ose të diskriminuar. Paqja nuk mund të ruhet  në një përzierje (bashkim)  mes  shteteve të lira dhe shteteve pushtuese. Paqja dhe stabiliteti mund të ruhen vetëm mes shteteve, popujve dhe kombeve të lira. Paqja më së miri do të ruhet me krijimin e shtetve një nacionale, të cilat do të bënin balancimin e raportit të forcave në rajon e jo me ushtarë misionarë. Në këtë kontekst pavarësia e Kosovës do të ishte faktorë i rëndësishëm i stabilitetit ne Ballkan. Nese është qellimi i mirë e jo farsë, si mund të pretendohet një Evropë e bashkuar me popuj të ndarë?  Çdo integrim  kërkon disa parakushte, pse nuk u integrue Gjermania pa ribashkimin e saj? Kurse shqiptarët të ndarë në tri shtete, para se të integrohen mes vete, para se të integrohen në Ballkan po u dashka  të integrohen ne Evropë?! Ndoshta këto qendrime me sistemin tuaj të vlerave mund të ju duken anakronizëm, por për ne shqiptarët është progres dhe emancipim. Ne vetëm kështu do të ruajmë identitetin tonë kulturorë, kombëtarë dhe tërsinë teritoriale të hapësirës tonë etnike. 
“Që të dëshirosh“ të bashkohesh me Europën” duhen plotësuar disa kushte që pak vende të Ballkanit i plotësojnë sot”.
Vetë ideja e bashkimit është më e nderlikuar se sa mendohet. Kjo është trajtuar teoritikisht edhe më parë. Bashkimi mes shteteve dhe kombeve nuk mund të bëhet me kriteret e bashkimit (komponimit) kimik. Bashkimi i shteteve dhe kombeve bëhet  për të rritë vlerat njerëzore dhe materiale dhe jo bashkim për hirë të bashkimit. Në këtë rast arritja është e lartë, kur bashkohen të ndryshmit, që kanë identitetin e tyre specifik dhe jo të ngjajshmit. Të ngjajshmit treten (shkrihen) mes veti por nuk bashkohen dhe nuk krijojnë kualitet të ri. Vendet e Ballkanit para se të plotësojnë kushtet që u ve Evropa, kanë për të zgjidhë çështjet nacionale, kontekstet teritoriale mes veti dhe ridefinimin e kufijve. Pas kësaj  faze (ose krahas me te) të fillojnë ndertimin dhe rindertimin, progresin ekonomik e më pastaj të mendohet për kushtet që i vë Evropa  për integrim. Vendeve  që kanë probleme (aspirata) kombëtare nuk u bëhet vonë për kushtet e vëna nga Evropa e bashkuar.  Çdo kund ekziston logjika dhe renditja e gjërave, prandaj nuk guxon  të bëhet tejkalimi i fazave zhvillimore, e aq më pak injorimi apo mohimi total i tyre.
“Ky pakt synon të lidhë integrimin rajonal me atë europia si dhe me Marrëveshjen për Asocim dhe Stabilitet, të krijojë stuktura fleksibilë për integrimin në Europë”.

Mendoj se edhe kësaj radhe qendra vendosëse e Evropës dhe qendrat e tjera të vendosjes kanë për qellim ti shmangen trajtimit thelbësorë të çështjes së Ballkanit. Ata edhe kësaj radhe neglizhojnë çështjet nacionale dhe komponenten politike duke u mbështetur fortë  vetëm në komponentën  ekonomike dhe financiare. Ata shpresojnë  se ballkanasit  do të bëjnë shkembimin e vlerave (prioriteteve) dhe do të heqin dorë nga objektivi i shtetit komb, pikërisht në momentin kur  janë duke e parë  mundësinë  më të madhe  të realizimit të aspiratës së tyre. Kjo  nuk do të thotë  se qeveritë ballkanase nuk do të marrim ndihmën joshëse (ashtu si prijësit e fiseve afrikane që mernin rruaza të  bardha dhuratë nga evropianët në këmbim të qetësisë dhe mirëkuptimit), por çështja nuk do të  përfundon me kaq. Përseri do të ketë ferkime dhe tensionime  sepse susta duhet  çliruar deri në fund, procesi  duhet  përfunduar. Kombet  duhet të jenë të barabartë në zhvillimet   historike, që  të mund të  jenë të bashkuar  dhe të barabartë  në lidhjet (bashkimet) e  sotme të formave të ndryshme. 

 “Një Republikë Kosovare sigurisht që nuk mund të drejtohet nga Beogradi apo të jetë pjesë e Republikës Serbe, sikurse as mund të administrohet përjetësisht nga Kombet e Bashkuara. Ajo duhet të përgatitet ër të ndarë disa pushtete me Serbinë dhe Malin e Zi, brenda një strukture të qartë lidhur ngushtësisht me integrimin evropin “.
Zoti Billt kusht të rënd i keni vënë Kosovës. Ia  keni hap dyert  për në Evropë por e keni kushtëzuar se nëpër cilat dyer duhet të kalojë ajo, dhe këtu jeni shumë i prerë, vetëm nëpër Beograd. Si duket Serbija ju ka dhënë prova të mëdha, lirie, bashkimi, integrimi, bashkëjetese, demokracie dhe kulture të lartë politike?! Ne shqiptarët nuk e kemi këtë përshtypje z. Billt, sepse e kemi provuar në lëkurën tonë dhe e kemi paguar me gjakun tonë. Nuk besoj se keni harruar  që në Kosovë ka pasë një luftë në mes shqiptarëve  dhe Serbisë. Ju insistoni që të bashkohet viktima me gjelatin, procesi i kaluar është i pakthyeshëm, ose kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur dikush (Evropa,  Serbia apo zoti) mund t’i ngjallë të gjithë të vrarët tonë nga soldateska serbe. Edhe atëherë shkaku ishte i njëjtë si me kushtëzimet e juaja sot, që pretendoni të na riktheni aty ku e filluam, por tash me pergjegjës të rinjë dhe në rrethana të reja. Është e pakuptueshme se si ju në vend të denimit, doni ta shperbleni shtetin më agresiv që ishte shkaktarë i katër luftrave me fqinjët e vet. Pse z. Billt kur keni gjetë një zgjidhje kaq të mirë, vendi i juaj nuk heqë dorë vullnetarisht nga sovraniteti i tij e të futet nën pretektoratin e Anglisë dhe përmes saj të integrohet në Evropë? Edhe nese jemi të detyruar të pranojmë kushtin tuaj, pse  mos të zgjedhim ne  se kujt duam t’ia falim sovranitetin dhe të bashkohemi. Pse ai shtet të mos jetë  Shqipëria por vetëm Serbia?! Konkluzioni është i qartë, nuk mund të ketë integrim me ndermjetësues, por vetëm me pjesmarrje direkte të subjekteve të lira.
“Kombeve i Sigurimit të Kombece të Bashkuara. Eksperienca e këtij dhjetëvjeçari të fundit ka treguar më së miri se vetëm kur tre aktorët më të mëdhenj të botës: SHBA, Europa dhe Rusia flasin me të njëjtën gjuhë, atëherë mund të arrihet në marrëveshje politike në rajon”.
Konstatimi i juaj është i vërtet z. Billt, por shumë i vështirë për të gjetë çdoherë koncenzus për të tria palët. Pastaj edhe mund të bien dakort këto tri fuqi për një problem, ku nuk ju cenohet ndonjë interes i drejtë për drejt dhe që pasojat e e marrëveshjes gjentelmene ti pësojë i katërit (në këtë rast populli apo vendi i vogël), që për momentin  sherben si monedhë kusuritje në raportet e të mëdhejve. Është moti e provuar se vendimet e të mëdhejve (të fortëve) nuk kanë qenë çdoherë të drejta historikisht e as në planin human e politik. Përkundër kësaj në shumë raste kur lufta e një populli ka qenë e drejtë dhe këmbëngulse ka arritë të ndryshojë qendrimet e të mëdhejve.  Ne nuk kemi njophuri për  qendrimet e diplomacisë së fshehtë që do të shtynin  treshen e madhe  që të jetë kundër lirisë dhe bashkimit të shqipëtarve. Një qendrim si i juaji mund të spjegohet  vetëm si nostalgji  e kontinentit të vjetër për kohën e artë të kolonive, ndoshta është forca e inercionit të kësaj nostalgjie që ju shtyn të mbani qendrim pro Serbisë, që ajo edhe në shekullin XXI  të ketë kolonitë e saj në emër të lirisë dhe bashkimit evropian?!
“Tani zgjedhja kryesore e rajonit ëshë midis të qenit më shumë ballkanas, në kuptimin e keq të fjalës, apo të qenit më shumë europian, në kuptimin e merë të fjalës”.
Zoti Billt sigurisht se ju keni premisat e juaja për të nxjerrë një konkluzion të tillë. Zgjidhja  më e mirë sipas jush prap kërkohet në një fushë tjetër jashtë fushës politike duke e bartur problemin konkretë, historik në fushën e etikës me sintagmat “në kuptimine mirë" dhe “në kuptimin e keq". Ju sigurisht dyshoni  z. Billt  se ne ballkanasit (shqiptarët)  nuk dijmë të zgjedhim në mes të mirës dhe të keqës. Ne ju themi me plotë gojën  se nuk ndjehemi keq  që jemi ballkanas, përkundrazi jemi krenar, e dijmë që këtu, në Ballkanin e keq, është djepi i historisë, kulturës, filozofisë dhe shkencës së sotme që e materializon Evropa e mirë. Po pse ne duhet të jemi inferior dhe të këqinj?! Pse jemi të vegjël? Pse të tjerët na pushtuan? Pse të mëdhenjët kryeni pazarllëqet në kurriz tonin? Duhet ta besoni z. Billt se këto nuk janë bërë me dashjen tonë, prandaj këto fakte  nuk e ngarkojnë ndergjegjjen dhe vetëdijen tonë. Por na habisni ju të mirët, si jeni kaq të një anshëm dhe si ju mungon guximi dhe parimi i drejtësisë dhe humanitetit në trajtimin e çështjeve kaq transparente. Në raste të tilla (kur ka konteste) as të mirën e as të keqën nuk mund ta bëjë njëra palë, çdoherë duhen dy partnerë. Edhe ju të mirët (të mëdhenjët) keni hisen tuaj, në të keqen tonë. Të qenurit ballkanas për ne nuk është faj i bashkëlindur, për ne është fat, domosdoshmëri dhe një mundësi më tepër.
“Tani historia i ka dhën rajonit , Europës  dhe Botës një shans të ri. Humbja e këtij shansi përbën një rrezik të madh për Europën”. 
Vërtet është shans i ri që duhet të shfrytëzohet. Por shansi mund të humbet ose në përpjekje të mos ralizohet, si në penallti, që janë disa mundësi por që nuk do të thotë patjetër gol. Shansi mund të keqpërdoret duke dhanë zgjidhje që janë provuar si të gabueshme më parë, por sot në një  paketim të ri. Çështja edhe   mund të konzervohet  dhe të shtyhet për gjeneratat e ardhshme. Por ky shans edhe mund të materializohet drejtë, në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare duke shfrytëzuar momentin dhe klimën e ndryshimeve të mëdha në rajon. Që secili popull të jetë zot i vendit të vetë dhe të gëzojë lirinë e tij në nënqiellin që i takon. Pas kësaj të fillon realizimi i asaj (integrimi) që ju sot pretendoni, e që ne e ëndërrojmë për nesër nga një pozicion më i avansuar. Bartësit e bashkimit (integrimit) duhet të harmonizojnë interesat për objektivin e përbashkët me subjektet e lira dhe të legalizojnë perdorimin e mjeteve efikase për realizimin e këtij bashkimi. Nuk ka modernitet pa perjetimin e lirisë dhe dimensioneve të saj në të gjitha planet; si kategori individuale, nacionale dhe universale.
Procesi i integrimit evropian nuk është në binarë të kundërt me procesin e dezintegrimit të Ballkanit. Këto procese nuk  prijashtohen mes veti, ato janë në binarë të njëjtë por me shpejtësi të ndryshme dhe distancë kohore të madhe për shkak të  historisë specifike të Ballkanit. Është paradoks politik i kohës moderne të mendohet një  Evropë e bashkuar me popuj të ndarë.

 Prishtinë, 20.02.2001                                   Ibrahim I. Shala

*) Botuar në “Gazeta e re” nga 22 – 27.02.2001


 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala