line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime
<< Mbrapa
Punėt e Kuvendit dhe punėt e vendit

/Ditorja "Epoka e re", 18.05.2002, Prishtinė/

 

 I.
Seanca e fundit e Parlamentit  të Kosovës (9.05.2002) u prit me shumë interesim sepse do të diskutohej për Mitrovicën, veriun e Kosovës  dhe për  2500 hektarë tokë që ju dhanë Maqedonisë nga marrëveshja serbo – maqedone. Gjithashtu kjo seancë ishte interesante sepse një ditë më parë kryeadministratori Shtajner i kishte dërguar Kuvendit një letër, ku i kujtonte deputetët se Kuvendi  nuk ka të drejtë të diskutojë për temat e përmendura. Mënyra e drejtimit të seancës nga kryetari  la një shije të hidhur te qytetarët, apo më saktë i zhgënjeu ata. Me ngjarjet që u zhvilluan në parlament dhe jashtë tij, puna e parlamentit dhe rëndësia e tij si institucion më i lartë i Kosovës u zhvlerësua në masë të madhe. Si reflektim të kësaj gjendje kemi reagimin e Kryeparlamentarit me një komunikatë për shtyp ku jep një sqarim të shkurtër se: “Parlamenti nuk jep propozim ligje por i aprovon ato nëse i afrohen nga , kryeministria ose ministritë e veçanta….”. Kjo si një pjesë e së vërtetës është në rregull dhe ai ka të drejtë. Por kur është çështja e Kosovës veriore dhe kufirit me Maqedoninë atëherë kush duhet të bijë projekt ligje ose projekt rezoluta, mos ato duhet të pikën nga qielli?! Në  fakt ato edhe nuk munguan atë ditë sepse ishte paraqitur një projektrezolutë e një partie politike(AAK) dhe të tjerat i kishin variantet e tyre por kërkonin hapësirë. Ky reagim nuk mund të mbulojë dhe arsyetojë udhëheqjen e dobët dhe të gabuar të z. Daci. Shumë qartë u pa se ai  nuk e ka guximin e duhur të udhëheq as edhe një seancë në mënyrë të pavarur, pa instruksione, qoftë përmes letrave publike  apo pusullave rekomanduese.
Ky bllokim dhe ky servilizëm i kryeparlamentarit Daci rrjedh prej faktit sepse ai vetë nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë. Ai kërkon pa të drejtë projekt ligje për aprovim, sepse  ai nuk i ka afruar deputetëve një projekt rregullore të punës së vet parlamentit. Pikërisht  pse është duke punuar me rregulloren e servirur nga UNMIK, ai  bie në këto pozita qesharake dhe të mjera. Pika e parë e punës së kuvendit, pas kompletimit të tijë është hartimi dhe miratimi i rregullores së punës. Nuk ka paradoks më të madh kur  organi ligjvënës, nuk e ka ligjin e brendshëm të punës së vet. Për këtë mungesë nuk është faji vetëm i z. Daci. Edhe parlamentarët kanë hisen e tyre, ata të etur për të diskutuar në foltoren e Kuvendit, harruan se nuk e kanë aprovuar rregulloren e punës e cila do ti shmangte të gjitha keqkuptimet dhe keqpërdorimet gjatë seancave të kuvendit.

II.
Letra e Shtajnerit ishte një përpjekje për të dirigjuar punimet e kuvendit duke  treguar se cilat janë të drejtat e tij. Pikërisht pse kuvendi ka të drejtë të diskutojë për të gjitha temat, z. Shtajner ishte i shqetësuar dhe përpiqej të impononte qëndrimet e veta. Ai e din shumë mirë se nuk ka mundësi një parlament me legjitimitet ndërkombëtarë të mos bjerë vendime legjitime. Përkundër kufizimeve në njohjen e vendimeve të parlamentit nga Korniza Kushtetuese (dhe kryeadministratori), ai nuk mund të ndalë trajtimin e temave dhe aprovimin e rezolutave për çështje të ndryshme. Ndërkombëtareve nuk duhet tu vij keq nëse çrregullohet kalendari i tyre politik, sepse edhe zhvillimet politike kanë logjikën e vet. Ata duhet të pajtohen se vet ekzistenca e parlamentit si institucion dhe natyra e punës së tij janë element shtetformues dhe autonomiste (të pavarur). Qëndrimet e Shtajnerit më shumë ndikuan vetëm te Kryetari Daci i cili i kupton veprimet politike dhe funksionin që e ka në mënyrë dogmatike dhe metafizike.  
Z.Shtajner në takim me studentët, në parlament dhe takim me qytetarët përpiqet të lë përshtypjen se është i vendosur dhe i pa anshëm, se është korrekt dhe i fjalës, se me te nuk do të ndodhë ndarja e Kosovës, bile nëse dyshohet në këtë ai do të  ofendohet dhe do të zemërohet.  Ne nuk duhet të prejudikojmë, mund të dal vërtetë ashtu si thotë z.Shtajner, por ai ka fatin e keq që të jetë zëvendësues i z. Hakerup i cili la një përshtypje (praktikë) të keqe te kosovarët. Kryeadministratori nuk është qytetar rezident i Kosovës, pas një vendimi në dëm të Kosovës, ai mundet të ikë një natë me hanë si paraardhësi i tij. Këtu nuk ka garancione, sepse nuk mundësi ndjekjeje apo marrje masash ndëshkimore. Besimi qorras i kosovarëve ndaj cilit do kryeadministrator, qoftë ai edhe gjermani Shtajner, është gabimi shumë i madh politik që mund të bëjë udhëheqja e Kosovës. Fjalët e funksionarëve të UNMIK duhet vlerësuar vetëm atëherë kur ato ndiqen nga veprimet konkrete.

III.
Në udhëheqjen e punimeve të Kuvendit më së miri është reflektuar ndikimi i punës së kryeadministratorit i cili është qeveritari i plotfuqishëm në Kosovë. Në punën e tij z. Daci mundohet (jo pa sukses) të imitojë metodën e Shtajnerit, ai sillet si autokrat, si kryeadministrator i vogël i Parlamentit. Por z.Daci nuk e di se imitimi i kryeadministratorit është shembull i keq për zhvillimin e demokracisë. Ai mundet pa konsultim ta ndërpres seancën, ashtu sikur të ishte në një ligjëratë para studentëve, pa kërkuar falje dhe pa dhënë llogari.  Në këtë mënyrë ai ofendon dhe nënçmon deputet dhe parlamentin si dhe  nivelin e kulturës politike të elektoratit kosovarë. 
Nga një praktikë e tillë  shohim se nuk ka koordinim të punës në mes kryetarit dhe kryesisë, si dhe kryetarëve të grupeve parlamentare para seancave, kjo do të thotë se parlamenti nuk funksionon si institucion i mirëfilltë. Pikërisht nga mungesa e transparencës, ngufatje e diskutimeve dhe refuzimi i temave të nxehta por shumë të rëndësishme, patën për pasojë demonstrimin e studentëve në rrugë për të përkrahur fjalën dhe diskutimin e lirë në parlament. Demonstrimi i studentëve në kohën kur mbahej seanca është fiasko dhe komprometim më i madh i kryetarit dhe parlamentit. Kjo do të thotë se poqese vazhdohet kështu, po qese nuk hapet debati, po qese nuk do të ketë transparencë të duhur, atëherë është i pashmangshëm veprimi alternativë për të shprehur pakënaqësinë dhe për të mbrojt atë qe duhet mbrojtur. Se po vazhdohet me avazin e vjetër dëshmon edhe fakti se seanca e ardhshme u shty edhe për një javë më tepër se sa kishte deklaruar kryetari në mbyllje të seancës së fundit. Është paradoks politik dhe e pa falshme kombëtarisht që njeriu me përgjegjësi më të lartë politike dhe institucionale në Kosovë, të  sillet në mënyrë  më të pa përgjegjshme.
Me zhbllokimin e punës në parlament për politikën kosovare duhet të fillojë një fazë e re, më e lartë dhe më efikase e cila do të promovojë filozofinë dhe praktikën shtetformuese. Kjo do të ndodhë me vetë funksionimin real të parlamentit pavarësisht se si e përjetojnë të tjerët këtë realitet. Ndërkombëtarët duhet të përgatiten për të pranuar kthesën e madhe politike në Kosovë. Sa më herët që kuptohet ky realitet aq më lehtë dhe më mirë do të jetë për ne dhe ata.

Ditorja “Epoka e re” /Prishtinë,18.05.2002

 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala