line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime
<< Mbrapa
Kriza e besimit dhe ndryshimet politike

/Ditorja "Epoka e re", 5.02.2003, Prishtinė/

 

 Vendosmëria për ndryshime
Që në mbledhjen e Bujanit, shqiptarët e kanë deklaruar  haptas vullnetin e tyre politik dhe aspiratat kombëtare. Mbetja e shqiptarëve në kuadër të Federatës Socialiste Jugosllave edhe pas luftës së dytë botërore ishte një realitet i imponuar me fuqi ushtarake.
Për çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptarët që nga 1945 pesta e këtej e kanë treguar pakënaqësinë e tyre në forma të ndryshme të veprimit politik. Historikisht dihet se jo vetëm në Jugosllavi por në gjithë bllokun e lindjes pesha e shtypjes totalitare ishte shumë e rendë. Heshtja ishte e thellë, kurse  ndryshimet brenda sistemit ishin evolutive, gati të pahetueshme. Koha e ndryshimeve të mëdha ishte shumë larg. Nuk kishte lëvizje masive politike me qëndrime opozitare, që do të tregonin disponimin e një populli. Kosova nuk u qetësua asnjëherë, kundërvënia më e madhe ishte ajo e pranverës së 1981. Që nga viti 1981 shqiptarët në mënyrë të vazhdueshme shprehen pakënaqësinë e tyre përmes demonstrimeve dhe protestave masive. Si askush tjetër në bllokun socialist, ata i treguan botës se janë të pakënaqur me statusin ekzistues nacional dhe social. Ata po ashtu që nga viti 1981 deri më 1997 pa ndërpre i treguan botës se janë shumë të vendosur për ndryshimin e gjendjes ekzistuese. Është pranuar botërisht se kundërvënia dhe shprehja e pakënaqësisë në mënyrë të vendosur për ndryshimin e gjendjes nënshtruese (robëruese) është kategori civilizuese dhe humane. Zhvillimet e më vonshme treguan se bota demokratike e pa ketë vendosmëri dhe i besoi asaj.
  
 Vendosmëria për liri
Që nga 1997 deri më 1999, me fillet e organizimit dhe veprimit ushtarak në Kosovë, vendosmëria për ndryshimin e gjendjes avancon
 në shkallë tjetër zhvillimore. Në vetë fillimin e luftës, me vet mënyrën e rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës, u tregua një shembull dhe vendosmëri e pashoq vetëflijimi. Populli e hetoi se ishte koha për ndryshimin e rrjedhave  të historisë. Ai vendosmërinë e vet e tregoi me përkrahjen që i dha luftës dhe ushtrisë, ndihmën financiare, përkrahjen me demonstrata dhe manifestime me të cilat shprehej përkrahja për çlirimtarët. Gjithashtu është dëshmi e kësaj vendosmërie shpërngulja biblike e popullatës shqiptare, vetëm për faktin e thjesht se nuk e pranonte shtetin dhe sundimin serb. Pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm, përgjigjja që iu bë kësaj thirrje, me vullnetarë nga vendet e ndryshme të Evropës perëndimore, ishte po ashtu një dëshmi e vendosmërisë për të fituar lirinë. Vendosmëria e patundur për të luftuar për liri, bota perëndimore  e çmoi lartë, ajo e ndihmoi luftën e shqiptarëve deri edhe me ndërhyrje ushtarake. Në këtë luftë UÇK dhe NATO ishin aleat, sepse ata luftonin kundër armikut të përbashkët, kundër fashizmit serb. Pas kësaj lufte u krijua një realitet i ri, pa pushtuesin serb ku shqiptarët shijojnë lirinë e merituar dhe të shumëpritur.

Vendosmëria për shtetësi
Sot Kosova është nën administrimin ndërkombëtar. Ajo i ka institucionet e  veta, të dala nga zgjedhjet parlamentare. Gjithashtu piramida institucionale dhe politike është formësuar përmes procesit zgjedhor dhe demokratik. Statusi final i Kosovës ende nuk është përcaktuar, pavarësia ende nuk është realizuar si objektiv kombëtar. Klasa politike mburr sukseset e veta dhe thirret vazhdimisht në  pavarësi. Në fakt ngecja është shumë e dukshme dhe e ndjeshme. Populli (elektorati) nuk po e përjeton progresin dhe nuk po i shef konturat e asaj pavarësie që politikanët po e shohin dhe po e besojnë. Nëse nuk realizohet ajo çka mendohet si e drejt, e domosdoshme, e kohës, dhe e realizueshme, atëherë lind kundërthënia dhe konflikti i palëve në kuadër të pushtetit të dyfishtë.  Sigurisht se nga një kontradiktë e tillë do të lindë zhgënjimi dhe pakënaqësia. Por si do të shprehet dhe si do të manifestohet ajo? Sigurisht se nuk duhet të ndodh si në dy rastet e para, sepse tash jemi në një realitet krejt tjetër. Atëherë si duhet të dëshmohet  vendosmëria politike e palës kosovare. Populli (elektorati) nuk do të veprojë si më pare, që të manifestoj pakënaqësinë përmes psikologjisë kolektive për rrethanat e caktuara politike ose për të shpreh  aspiratat  e tij kombëtare.  Sepse sot  populli është i sistemuar në parti politike si elektorat, ose i përcaktuar me vote  gjatë zgjedhjeve, duke zgjedhur përfaqësuesit e vet legjitim në institucione legjitime. Ai i ka përfaqësuesit e vet që kanë funksionet politike dhe administrative që kanë marrë përgjegjësinë për të materializuar aspiratat e tij politike dhe kombëtare. Është bërë transferimi i vullnetit dhe përgjegjësisë nga masa tek individët e zgjedhur, në këtë proces nuk ka kthim prapa. Është radha e klasës politike që të tregojë vendosmërinë e vet për realizimin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ecja drejtë së panjohurës
Për situatën aktuale mund të konstatojmë se burokracia megalomane dhe prepotente e UNMIK është duke u zvarritur shumë në transferimin e pushtetit, kurse vendorët e vetëkënaqur nuk nguten me nxënë hapin kohor. Si rezultat i kësaj ngecje të dyanshme ndodhë s’përputhja e madhe e zhvillimit  të procesit politik. Ndodhë ngecja në zhvillim.  Në dy rastet e para është dëshmuar se individët (udhëheqësit) nuk ishin në nivel të detyrës, por populli po. Tash është radha e udhëheqjes të tregojë vetveten. Pakënaqësia dhe format e presionit ndaj klasës politike si shkaktare (jo e vetme) e ngecjes nuk mund të bëhen në rrugë dhe nga rruga.  Pushtetarët aktual sipas rregullit demokratik mund të ndëshkohen me vote në zgjedhjet e ardhshme të radhës. Por nëse zgjedhjet janë ende larg, kurse koha nuk ndalon, kjo do të thotë se vakumi dhe disproporcioni politik do të krijohen në mënyrë të domosdoshme. Atëherë shtrohet pyetja se kush do ta zen  këtë vakum, apo kush do ta shfrytëzojë? Sigurisht jo më masa e gjerë dhe e pa kënaqur.  Këtë jo stabilitet do ta shfrytëzojnë grupet e ngushta ekstreme ilegale, ose partitë politike me programe kombëtare më radikale.

Pavarësia si domosdoshmëri
Prandaj në rrethana të tilla, UNMIK dhe klasa politike kosovare duhet të veprojnë shpejt. Jo të taktizojnë dhe të bëjnë përllogaritje të ngushta, sepse të dy palët do të gjenden në pozitë të pa volitshme, ndoshta më vonë edhe komprometuese. Humbja e besimit dhe kriza e besimit, sjellë nevojën  e ndryshimeve. Iniciativat e veprimit politik duhet të rrjedhin nga partitë politike, sidomos nga ato që janë në qeverisje të institucioneve shtetërore. Ato nuk duhet të vendnumërojnë, duke fol për aktin e madh të pavarësisë dhe në aspektin praktik të ndjekin rrjedhën e inercionit të ngjarjeve. Ato duhet të kenë objektiva dhe iniciativa të qarta për problemet dhe sfidat që i presin.
Kjo filozofi politike duhet të burojë nga partitë që janë dëshmuar në veprimtari konkrete, nga forcat që bënë kthesën e madhe historike, sepse misioni i tyre historik ende  nuk ka përfunduar. Se më në fund e kanë kuptuar seriozitetin e situatës dhe si veprim shpresëdhënës duhet vlerësuar iniciativën (nëse nuk bllokohet) e një grupi parlamentar për shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Shfrytëzimi i kompetencave ekzistuese në mënyrë të vendosur dhe energjike është provë para bashkësisë ndërkombëtare për pjekurinë politike dhe institucionale të vendorëve dhe kusht për të shpejtuar transferimin e kompetencave të përgjithshme. Transferimi maksimal i kompetencave të vendorët do të jetë fillimi i funksionimit të shtetit të Kosovës, pavarësisht se në cilin moment do të bëhet shpallja formale e Pavarësisë së Kosovës, apo njohja ndërkombëtare e saj.

Ditorja “Epoka e re”/5.02.2003 /Prishtinë/

 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala