Në vendet që janë në tranzicion, duke bërë hapat e parë në demokracinë shumëpartiake, spektri i partive politike asnjëherë nuk është statik. Ai është në evoluim të vazhdueshëm sipas ligjeve të zhvillimit të shoqërisë demokratike. Lindja e një partie të re (3.04.2002) e cila nga themeluesit edhe është emërtuar ashtu: Partia e re e Kosovës, është një akt normal në kuadër të proceseve politike. Themelimin e PREK duhet parë si begatim të alternativave politike dhe të spektrit partiak ekzistues.
Nga themeluesit në konferencën promovuese për media janë dhanë arsyetimet që i shtynë ata për të themeluar partinë: se është zbehur veprimi politik si dhe mungesa e vizionit politik në Kosovë. Një parti e re ka kuptim të themelohet vetëm atëherë kurë është domosdoshmëri e kohës dhe e rrethanave politike, atëherë kur ofron një filozofi dhe koncept të ri politik, e jo vetëm sa për të lansuar një lider apo për të shtuar numrin e partive ekzistuese. Përvoja e mendimit politik dëshmon se nuk mund të ketë filozofi politike të re me njerëz (funksionar) të vjetër.
Dihet se grupi nismëtarë ka punuar shumë më herët se sa të bëhet shpallja publike për themelimin e Partisë së re, prandaj nuk mund të ju iket pyetjeve hipotetike: se kur ka qenë koha më e mirë e themelimit të partisë në fjalë? Mendohet se koha më e përshtatshme ka qenë ajo e pas luftës , kur u bë kthimi i popullatës në Kosovë, kur LDK filloi të riorganizohet gati nga fillimi dhe kur pritej lindja e partive të reja. Kurse në kohët e fundit rasti më i përshtatshëm ka qenë ai pas dështimit të seancës së dytë të parlamentit për zgjedhjen e Kryetarit të Kosovës. Arsye e parë: gjendja ishte shumë fluide, kishte akuza për bllokim të marrëveshjes, shumë deputet të partisë së LDK ndoshta ishin të hamendur për qëndrimin e drejt të kreut partiak, dhe arsye e dytë: z. Bukoshi dhe Partia e re do të dilni si shpëtimtarë të situatës, si zgjidhje alternative dhe do të ndryshonin matematikën kombinuese për koalicionin qeverisës.
Themelimi i partisë së re me figura të njohura nga radhët e LDK dhe funksionarë të ish qeverisë Bukoshi në egzil, do të ketë efekte pozitive për proceset politike. Një parti e re me origjinë nga LDK do ti relaksoi raportet në mes të dy partive më të mëdha: LDK dhe PDK. Çdo qëndrim kundërshtues ndaj LDK nga ana e PDK (që është normale në demokraci), më parë nga fanatikët e partisë merrej (trumbetohej) si sulm enverist, nanoist, ekstremist deri antikombëtarë, pavarësisht se cilat ishin argumentet. Me daljen në skenë të PREK si fraksion (thanë kushtimisht) i LDK lufta politike do të promovohet dhe do të bije në rrafsh më normal. Themelimi i kësaj partie do ti hap mundësi të reja PDK për veprim politik, që ajo të mos hezitoj (për shkak të keqinterpretimeve) të përballet me dobësitë e kundërshtarit politik. Tash nuk do të mund të këndohet edhe më tej kënga e vjetër. Me daljen e PREK, konkurrenca politike ndërpartiake merr kuptim tjetër, kuptimin e garës dhe kontrollit reciprok, e jo vlerësimin apriori, je kundër partisë sonë (LDK), je antidemokrat bile dhe antikombëtarë. Mendojë se nuk qëndron konstatimi i disa analistëve se kjo parti do të luan rrol ekuilibrues ndërpartiak, këtë rrol në rrethanat aktuale nuk mund ta luaj asnjë parti kosovare, sepse faktor ekuilibrues (më saktë determinues) në Kosovë është vetëm UNMIK.
Efekt tjetër pozitiv do të jetë demokratizimi i imponuar i LDK. Kjo do të ndodhë për shkak të lëvizjes (sepse përafërsisht është lëvizje brenda llojit) së mundshme të kuadrit dhe anëtarësisë nga LDK tek PREK. Nëse për këtë arsye fillon të funksionoj demokracia e brendshme te partia më e madhe në Kosovë, atëherë ky është një kontribut i madh në demokratizimin e jetës politike dhe raporteve ndërpartiake.
Themeluesit e PREK kanë përllogaritur se nga do të marrin anëtarësinë e tyre. Sigurisht se burimi i parë mendohet të jetë anëtarësia e LDK edhe pse kjo nuk thuhet haptas. Kjo pritet të ndodhë sepse ekziston mendimi se Partia e re në fakt është një LDK e re (e reformuar). Pastaj ata llogarisin të një numër prej 34% të elektoratit kosovar që nuk ka dalë në zgjedhje të më parshme. Ai sot është në pritje të një partie të re, sepse gjoja nuk i kanë pëlqyer alternativat ekzistuese. Ky konstatim ndoshta ka diç të vërtetë, por ne mendojmë se ky numër ka qenë pasivë për shkak të tejngopjes nga politika kosovare, elektorat indiferent i cili e ka konceptuar politikën si antipolitik dhe si kundërproduktive pa dallim alternativash.
Me Partinë e re do të angazhohen në jetën politike partiake një numër i kuadrove të afërta me Z. Bukoshi që kanë qenë përkohësisht pasivë në jetën politike. Ky do të jetë një kontribut pozitiv, sepse do të angazhohen të paangazhuarit pavarësisht nga kredibiliteti i tyre politik. Sa më i madh numri i atyre që janë të angazhuar politikisht dhe marrin përgjegjësi publike, aq më i lartë do të jetë niveli i kulturës politike dhe demokracisë në Kosovë.
Nga themeluesit u deklarua se në aspektin e përcaktimit politik PREK do të jetë parti e qendrës së djathtë. Dihet se në Kosovë nuk ekziston (tradicionalisht) baza e një elektorati të qendrës së djathtë, e aq më pak janë të tillë emrat e anëtarëve të këshillit nismëtarë, sepse shumica e tyre kanë një të kaluar (prejardhje) komuniste. Pavarësisht nga ky konstatim, është e drejtë e tyre të përcaktohen për vijën ideologjike të qendrës së djathtë, si synim dhe si angazhim i përhershëm për ta profiluar atë në kuadër të spektrit politik.
Emërtimi i partisë si Parti e re e Kosovës nuk e shpreh përcaktimin ideologjik dhe nuk e përcakton shtresën e shoqërisë kosovare të cilës i drejtohet. Ky është emërtim i përgjithshëm që përcaktues (dinstiktiv) e ka kriterin kohor, duke menduar se do të jetë më gjithëpërfshirës në tërheqjen e elektoratit. Ky përcaktues për 3.04.2002 është i saktë dhe vazhdon të jetë i tillë deri në formimin e një partie tjetër, e cila sipas kësaj logjike duhet ta ketë emrin e parapërcaktuar si Partia më e re e Kosovës.
Çdo parti e re e ka edhe fazën e vet optimale të rritjes së anëtarësisë dhe shtrirjes së saj në teren. Partia do të ketë start të lartë nëse z. Bukoshi mund të tërheq pas vete një numër të deputetëve të LDK, që PREK do ta radhiste në grupin e partive parlamentare, element i dytë stimulues është bindja që ekziston në opinion se Z. Bukoshi ka rezerva të madha financiare. Kjo fazë përafërsisht përfshin tre muajt e parë pas themelimit të partisë. Po nuk u shfrytëzuan në mënyrë energjike muajt e parë, pastaj fillon të bjerë intensiteti duke kaluar në fazën e qetësisë relative dhe të profilimit të strukturës së brendshme.
Përkundër përkrahjes që do ta ketë partia nga një segment i faktorit ndërkombëtarë (i interesuar për frenimin e procesit të pavarësisë), pika më e dobët për perspektiven e sajë është vet personaliteti kontraverz i liderit të partisë - Z. Bukoshi. Ai në rrethana të ndryshme ka pasur shumë shanse historike të mëdha për të kontribuar për Kosovën. Fatkeqësisht nuk i ka shfrytëzuar ato, sepse ai ka qenë i ngathët dhe pa iniciativë, nuk ka ditë të vlerësoj drejt momentet e ndryshimeve (përthyerjeve) të mëdha historike të popullit të Kosovës.
Megjithatë duhet ti japim kohës kohë, të shohim si do të zhvillohet dhe cili do të jetë kontributi konkret i PREK në jetën politike të Kosovës. Në raste të tilla koha është treguesi më i mirë.
Botuar në të përditshmen “Epoka e re” 6.04.2002, Prishtinë