line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime
<< Mbrapa
Statusi i UĒK- sė Statusi i Kosovës
/E përditshmja “Epoka e re”, 16.11.2005, Prishtinë./
Shkruan: Ibrahim Shala – Analist politik

 

            Pas ofensivës serbe dhe krimeve barbare mbi fshatrat e Kosovës, duket se faktori ndërkombëtar u sensibilizua më shumë  se ndonjëherë tjetër dhe u mor  “seriozisht“ me gjendjen në Kosovë, duke aprovuar rezoluta dhe vendime, duke bërë përgatitje për intervenim ushtarak, duke bërë bisedime të vazhdueshme në rolin e ndërmjetësuesit në mes Beogradit dhe Prishtinës. Biseda zhvillohet në stilin se zgjidhje e drejtë dhe e dobishme do të jetë ajo çfarë do të bie dakord Beogradi, sepse shqiptarët pasi që nuk arritën të bëhen faktorë ushtarak imponues, pas shkatërrimeve të shumta dhe katastrofës humanitare që po i kanoset popullsisë së strehuar nëpër pyje nga afrimi i dimrit, janë të detyruar të pranojnë çfarëdo zgjidhje që u ofrohet, mjafton që të korrigjohet diçka nga gjendja ekzistuese.
            Në relacionin e bisedave trepalëshe shihet që Kosova është lënë pas dore, se faktori ndërkombëtar bisedon vetëm me Serbinë si palë, kurse palën kosovare nuk e trajton as si subjekt, por vetëm si viktimë, që duhet dhënë lëmoshë dhe ku mund të eksperimentohen variantet dhe solucionet e ndryshme euro-amerikane për Kosovën në bazë të parimit: se paqja dhe stabiliteti në rajon janë para lirisë së popullit shqiptarë. Paradoks evropian, atavizëm apo nostalgji për politikën kolonialiste?
Ndryshe si mund të shpjegohet ky kut i dyfishtë?! Si mund të lejohet kolonializmi midis Evrope në filli të shekullit njëzet e një. Si mund të ketë Evropë të lirë me popuj të robëruar? Si mund të ketë Evropë të bashkuar me popuj të ndarë? Si mundet që çështja e ekzistencës dhe lirisë së një populli të jetë çështje e brendshme e një populli tjetër?
            Nga presioni i faktorit ndërkombëtar, presidenti, kryeministri dhe tërë klasa politike kosovare, e sidomos grupi përfaqësues në bisedime me Serbinë nuk duhet të udhëhiqen nga ndjenjat delikate të dhembshurisë dhe nga pamjet e shkatërrimeve në Kosovë, të  gjunjëzohen dhe të pranojnë një zgjidhje dosido të përkohshme, sepse gjithë ato sakrifica nuk janë bërë  për të arritur një zgjidhje çfarëdo. Ato janë bërë dhe po bëhen në emër të lirisë dhe pavarësisë, prandaj udhëheqja politike, shtetërore dhe ushtarake duhet të jenë të bindura se për të arritur lirinë, nuk ka çmim që mund ta sprapsi popullin shqiptarë nga ideali dhe e drejta e tij për liri dhe pavarësi.
            Detyrë kryesore dhe shumë e ngutshme e udhëheqjes shtetërore është që të bëhet krijimi i institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Në këtë  mënyrë pala biseduese kosovare do të merrte atribute qeveritare dhe shtetërore. Këtë vakum më së miri do ta plotësonte krijimi i një Qeverie të Unitetit Kombëtarë me bazë të gjerë partiake, që është bërë nevojë dhe domosdoshmëri. Fatmirësisht, krijimi një Qeverie të tillë në parim ka gjet përkrahje nga të gjitha  subjektet politike të Kosovës. Një prej detyrave kryesore të Qeverisë ekzistuese dhe asaj që do të vijë, është bashkimi i faktorit ushtarak dhe institucionalizimi i UÇK-së.
            Sot, më shumë se kurrë, shqiptarëve u duhet uniteti për të mirën e Kosovës. Ky unitet në rrafshin deklarativ deri më sot ka qenë në nivel, por nuk mjafton të jemi unik vetëm në objektiva, para së gjithash duhet të jemi unik dhe në realizimin e objektivave tona kombëtare të proklamuara në mënyrë plebishitare. Strumbullari i unitetit tonë duhet të jetë rezultati i referendumit gjithë popullorë për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Uniteti nuk duhet të jetë vetëm verbal duke shprehur se çfarë duam ne, por duhet të theksojmë me forcë edhe çfarë nuk duam. Duhet t`i  demaskojmë dhe luftojmë publikisht të gjithë ata, nga soji ynë, që mund të hutohen nga premtimet mashtruese të qendrave të vendosjes.

    II.

            Në kohën kur bëheshin përgatitjet e NATO-së për të sulmuar caqet serbe dhe  ecejaket e Hollbrukut ishin të shpeshtuara ndër shqiptarë  u krijua një lehtësim shpirtëror dhe numëroheshin ditët se kur do të ndodhë sulmi spektakolar dhe i shumëpritur?! U krijua përshtypja se ne mjaftë kemi bërë, mjafton që kemi pësuar dhe po e përfaqësojmë viktimën. Prandaj Evropa dhe Amerika na e kanë borxh që t`i  marrin punët tona në dorë, dhe se ato e dinë vet se si do të na bëjnë shtet. Dhe vërtet, faktori ndërkombëtar ka filluar të merret me çështjen tonë por sipas kutit të vet. Ai imponon bisedimet, armëpushimin dhe ofron variante të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Zgjidhje këto deri më sot të papranueshme për ne.
            Përkundër veprimeve jo frytdhënëse politike, para se bota të kërkoj që Serbia të tërheq forcat e saj policore-ushtarake nga Kosova, UÇK-ja në mënyrë të njëanshme shpalli armëpushimin, vetëm e vetëm për të ndihmuar proceset politike. Megjithëse ishin të vetëdijshëm se lufta është mjeti dhe gjuha e vetme të cilën e kupton Serbia dhe Millosheviqi. Ky ishte një hap shumë pozitiv, për të treguar se UÇK-ja është e interesuar për një zgjidhje politike të çështjes së Kosovës dhe se lufta është vetëm një e keqe e domosdoshme. Për këtë arsye UÇK-ja nuk ndërmori sulme të armatosura kundër forcave serbe, por ajo ruajti të drejtën që, pa hezitim, të përgjigjet në provokacionet e palës serbe, me të gjitha mjetet që disponon.
            Jemi të bindur se serbët duke u nisur nga epërsia e tyre ushtarake, arroganca dhe urrejtja antishqiptare, në çdo rast të mundshëm, do të mundohen t`i godasin pas shpine pozicionet e forcave tona. Prandaj është më se e domosdoshme që të ngrihet shkalla e gatishmërisë dhe vigjilencës së trupave tona, për të mos u befasuar në asnjë situatë.
Bindjen tonë e bënë më të sigurt edhe përvoja e palës serbe me faktorin ndërkombëtar në fushën ushtarake. Ajo është e paskrupullt në zënien e hapësirave dhe të kryerjeve të veprimeve ushtarake para hundëve të forcave ndërkombëtare. Duhet pasur parasysh se, faktori ndërkombëtar në esencë ka divergjencat e brendshme, vëzhguesit e tyre kanë vetëm mandat verifikues, prandaj ushtria jonë duhet të jetë e zhdërvjelltë dhe mos t`ia lidhë vetes këmbët me hezitim të panevojshëm dhe me marrje të problemeve humanitare. Koha e armëpushimit duhet shfrytëzuar për ristrukturimin dhe fuqizimin e  UÇK-së, për përgatitje fizike dhe taktike, për veprime më të larta dhe për situata më të ndërlikuara në të ardhmen.
            Elaborime serioze nuk janë dëgjuar, çka nëse vërtetë sulmohet Serbia apo nëse nga presioni ndërkombëtar tërhiqet një numër i madh  i forcave serbe? Çfarë do të ndodhë me pozicionet ushtarake në Kosovë? Nga kush do të mbulohen ato? Çfarë do të bëjë UÇK-ja? Kush do të plotësojë pozicionet e boshatisura, kur dihet se vakum në pozitat ushtarake nuk mund të ketë? Cilat janë detyrat ushtarake qe dalin para komandës eprore të UÇK-së në këto rrethana të pat pozicionit?
            Në rrethanat e krijuara UÇK-ja duhet të punojë shumë në organizimin dhe rigrupimin e forcave të shkapërderdhura, bile edhe duhet të kalojë në një mobilizim intern për të shtuar radhët e saj sa më shumë, ose mundësisht, për të kthyer numrin e ushtarëve që kishte në muajt maj-qershor. Kjo nuk do të thotë se duhet patjetër të bëhen operacione ushtarake, por kjo duhet të bëhet për të plotësuar vakumin e krijuar, për t`i  treguar botës se ne këtu jemi; duhet ndërtuar kazerma qoftë edhe në pika jo të rëndësishme, mjafton të dihet se atje janë të stacionuar ushtarët tanë; ata duhet të patrullojnë në grupe dhe aty ku munden të armatosur, e ku jo, vetëm  të uniformuar. Uniforma e UÇK-së duhet të përhapet gjithandej në popull, ushtarët tanë të demobilizuar përkohësisht edhe në jetën civile, duhet të mbajnë  uniformën; me te të punohet në ara, të vihen kulme në shtëpitë e shkatërruara, të dilet edhe në shëtitore. Duhet bind vetveten dhe të tjerët se ne zëmë një vend të caktuar në hapësirë dhe kohë në truallin e Kosovës, dhe kushdo qoftë që merret me fatin e Kosovës, duhet të mendoj për këtë hapësirë sepse subjekti ushtarak ( UÇK ) është real dhe do hapësirën e vet, sepse nuk ka subjekt jashtë kohë dhe hapësirës.

III

            Propozimeve të faktorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës filluan t`i  dalin mangësitë në shesh. Zgjidhjet e ofruara për statusin e Kosovës realisht nuk do të jenë as sa niveli i 1968-së. Duke prejudikuar statusin e Kosovës  me marifetet e diplomacisë, është bërë e vështirë për t`i  dalluar qëllimet finale të saj, bile as të atyre qe i kemi konsideruar si miq dhe mbrojtësit tanë. Ata mundohen të na i ngulisin shpresat se zgjidhja dhe avancimi  do të jenë hap pas hapi, dhe për këtë, ne duhet te jemi kooperues dhe elastik. Se si do të veprohet në planin politik, kjo është çështje dhe detyrë e subjekteve politike, Presidentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Atyre u dalin detyra të rëndësishme, ata duhet të dinë të mbrojnë me këmbëngulësi të drejtën tonë me argumente reale dhe të fuqishëm. Sot është koha kur vendoset për lirinë tonë, për të ardhmen tonë.
            Një pjesë e faktorit ndërkombëtar tradicionalisht antishqiptar, jo vetëm që duan të na e reduktojnë të drejtën, deri në maksimum duke shkel mbi gjakun e dëshmorëve tanë, por ata duan të na mbjellin edhe farën e së keqes në mesin tonë. Këtë mundohen ta bëjnë në emër të “avancimit“ të statusit të  Kosovës. Para, lirisë sonë, para të drejtës sonë kombëtare si etnitet, për të jetuar të lirë në trojet tona, ata vejnë të drejtat qytetare dhe rendin demokratik. Ata duan që rolin e  UÇK-së ta reduktojnë nga një faktor shumë i rëndësishëm ushtarak-shtetformues dhe me peshë kombëtare, në një forcë policore të pranuar dhe të kontrolluar prej tyre dhe nga ana e Serbisë. Ata duan që me një gur të vrasin dy zogj, që me miratimin tonë të shuajnë UÇK-në dhe të fusin përçarje në mes forcave policore dhe ushtarake, në mes Ministrisë së Rendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Ndoshta qarqet ogurzeza mendojnë që nesër, forcat  çlirimtare – UÇK-ja, të ndiqen nga forcat e ministrisë së rendit, nga ish bashkëluftëtarët e dikurshëm dhe të vritet vëllai me vëlla, gjoja në  emër të avancimit të çështjes së Kosovës. Me fjalë të tjera, nëse ndiqet kjo logjikë do të na pret një luftë civile vëllavrasëse. Dhe pastaj një luftë të tillë, të mundshme, do ta shfrytëzonin për propagandë antishqiptare, se gjoja ne na mungon aftësia shtetformuese. Prandaj, kësaj së keqeje duhet prerë rruga me mençuri dhe vendosmëri nga kreu politik dhe shtetëror dhe sidomos, nga udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Rendit, sepse asnjëra nuk mund të ekzistojnë pa tjetrën, sepse ato plotësojnë njëra-tjetrën, ato duhet të veprojnë dhe jetojnë në simbiozë.

IV

            Nga koha e Lidhjes së Prizrenit  shfaqja e UÇK-së në truallin e Kosovës është arritja më e madhe ushtarake e popullit shqiptarë të Kosovës, ajo paraqet bazën kryesore të shtetësisë së Republikës së Kosovës, prandaj sot nga faktori ndërkombëtarë vlerësohet edhe si pengesa kryesore për të ofruar zgjidhje të cunguar për Kosovën që ata mendojnë. Në këtë pikë pikëpamjet e faktorit ndërkombëtar dhe të Serbisë përputhen plotësisht. Ne nuk duhet të na befasojë asgjë nëse do të merret një fushatë kundër UÇK-së përmes makinerisë propaganduese antishqiptare dhe përmes njerëzve të shitur dhe të instrumentalizuar, ndoshta dhe me njerëz  të infiltruar të cilët do të bëjnë “aksione“ në emër të UÇK-së, pikërisht për të goditur UÇK-në.
            Në këto rrethana kërkohet nga të gjitha subjektet politike ushtarake, dhe sidomos ato shtetërore që në bisedimet e ardhshme, pala shqiptare argumentin kryesor duhet ta ketë statusin  UÇK-së. Të gjitha shigjetat e diplomacisë dhe bisedimeve duhet të thyhen në radhë të parë për statusin e UÇK-së; tash për tash kjo duhet të jetë nyja kryesore e bisedimeve para statusit politik të Kosovës. Sepse nuk ka asnjë zgjidhje të drejtë për çështjen e Kosovës nëse ajo zgjidhje nuk pranon ekzistencën e UÇK-së në kuadër të  statusit të Kosovës. Sepse, vetëm ushtria kombëtare do të jetë garanci e zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare.

“REVISTA   USHTARAKE“      Nr. 2. Tetor  1998, Tiranë.

 

 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala