line decor
Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës 2007
line decor

 
 

 
 
Analiza dhe shkrime:
<< Mbrapa
Universiteti i Mitrovicės, Preshevės dhe Tetovės
/Ditorja “Epoka e re” Prishtinë, 19.07.2002./
Shkruan: Ibrahim Shala – Analist politik

Është e pa diskutueshme se administrata ndërkombëtare në Kosovë që më herët e ka pasur si objektiv të rëndësishëm  themelimin e Universitetit serb në Mitrovicën veriore. Kjo është bërë me arsyetimin: sepse serbët duhet të ndihen me perspektivë në fushën e shkollimit, ashtu si ndihen vërtet të sigurt me rojat e urës dhe nënsistemet tjera. Ky universitet është krejtësisht politik dhe si i tillë shërben për kusuritje të fuqive perëndimore në raport me Serbinë që  nga koha e luftës. Është fakt se numri real i banorëve serb të ngelur në Kosovë, është shumë i vogël për të plotësuar kushtet për një universitet, si me kuadro ashtu edhe me studentë. Nevojat momentale të serbëve për shkollim superiorë do të kishin mundur të plotësohen si deri në vitin 1990 në Universitetin e Prishtinës dhe ky do të ishte një integrim i vërtet i minoritetit serb. Pse nuk mund (dhe nuk angazhohen) ta arrijnë ndërkombëtarët këtë synim, është temë në vete dhe sigurisht ata i dinë mirë arsyet. Universitetin e Mitrovicës në fakt e ka themeluar administrata e Serbisë me profesorët që ishin misionar të serbizimit në Kosovë, pastaj nga ana e UNMIK e ka legalizuar gjermani Daksner. Faktori politik shqiptarë i Kosovës bashkë me kompetentët e arsimit, atëkohë e kanë neglizhuar ngjarjen, duke mos e ngritur zërin aty ku dhe kur duhej. Por ajo që kurdiset fshehtas patjetër do të shpërthej haptas. Erdhi momenti që parlamenti të miratoj ligjin  për arsim të lartë dhe na doli problemi në shesh. Është e ulët dhe qesharake loja me versionet në gjuhën shqipe dhe angleze, se si ndërkombëtarët deshën ta kontrabandojnë nenin për Universitetin serb të Mitrovicës. Kjo përpjekje dëshmon se pas universitetit fshihet diçka e pa pëlqyeshme për shqiptarët. Vërtet kjo është transparenca e proklamuar?! Ky është bashkëpunimi korrekt i stafit të ndërkombëtareve me kryesinë e parlamentit?!
Aprovimi i projektligjit u shty për kohë të pacaktuar, deri sa të gjendet një zgjidhje e pranueshme. Zgjidhja u propozua (interpretua) nga goja e kryeministrit: Nuk do të quhet universiteti serb i Mitrovicës së Veriut, as i gjuhëve sllave, por vetëm Universitet i Mitrovicës i hapur për të gjithë. Pa e thanë kryeministri nënkuptohet, se ky është solucion i imponuar i ndërkombëtareve. Por çfarë do të fitojnë shqiptarët si kompensim për këtë zemërgjerësi të pa parë? Do të integrohet Mitrovica dhe pjesa veriore e Kosovës?!  A ishte ky kushti i fundit pas aprovimit të rezolutës për kthimin e serbëve që të diskutohet statusi final i Kosovës? Apo bashkësia ndërkombëtarë ka marrë angazhim që Serbia të hap  Universitetin e Preshevës?

II.
Çka do që të thuhet një dihet, se ky Universitet nuk u themelua nga Qeveria e Kosovës, por u legalizua (nëse aprovohet në parlament) nga ajo, ai ndoshta vërtet nuk do të quhet Universitet serb, por dihet se u bë vetëm për shkak të tyre. U dëshmua edhe një herë se ndërkombëtarët kanë standarde të shumëfishta për të drejtat e minoriteteve, sidomos në të drejtën e shkollimit superior. Është po ajo politikë evropiane që në Kosovë është aq vigjilente për të drejtat e serbëve, kurse për shqiptarët në Maqedoni bëhet e verbët dhe e shurdhët. Universiteti i Tetovës edhe pse i themeluar mbi ligjet e shtetit, edhe pse vet themeluesit dëshironin të futen në sistemin arsimor të saj, Evropa nuk pati aq mundësi sa të bëj presion që të njihet ky universitet nga qeveria dhe parlamenti maqedon?! Për çudi ky legalizim nuk ndodhi edhe pas asaj lufte të madhe për të drejta kombëtare dhe atij shovinizmi të shfrenuar  antishqiptarë të soldateskës maqedone. Edhe pse shqiptarët në Maqedoni janë vërtet gjysma e popullsisë e jo minoritet, prapë nuk paskan të drejtë për shkollim superior në gjuhë amtare?! Kur lufta ishte në kulmin e saj, për çudi Evropa u ofroi shqiptarëve si alternativë Universitetin evropian të Shtulit për pakica në gjuhën: maqedone, angleze dhe shqipe. Çudi e madhe, maqedonëve nuk u mjaftonin dy universitete shtetërore në gjuhën amtare por edhe një i pakicave (edhe në maqedonisht), a ka paradoks dhe cinizëm më të madh se ky? Tërë ky investim dhe destruktivitet bëhej që mos të legalizohej Universiteti shqiptarë i Tetovës, por përkundrazi të minohej me fuqi financiare nga Evropa e civilizuar. Vërtet shtrohet pyetja si ka mundësi që dikush të bëjë universitete ku të dojë dhe sa të dojë, kurse dikush edhe me luftë nuk mund të fitojë të drejta të shkollimit superior në gjuhë amtare?! Apo vërtet dikush është pjesëtarë i popullit të zgjedhur hyjnorë, e dikush pjesëtarë i një populli të dorës së dytë.
Përfundimisht faktori ndërkombëtarë nuk është duke e  mbështetet angazhimin e vet,  që minoriteteve në Kosovë tu garantojë të drejtat mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe minoritetet, por bazohet në teorinë e re eksperimentale të multietnicitetit. Fatkeqësia është se askund në teorinë politike të demokracisë, nuk mund të gjendet  njisia matëse dhe definicioni i pranuar botërisht i kësaj teorie?! Në rrethanat aktuale, a janë vënë qeveria dhe parlamenti i Kosovës para aktit të kryer për të pranuar Universitetin e Mitrovicës?! Nga njohja e këtij universiteti a do të thotë se është bërë hapi i parë për legalizimin e kryeqytetit të Krahinës së Kosovës veriore.
A do të kënaqën serbët dhe Qoviqi vetëm me kaq, apo do të kërkojnë që të kalojnë edhe konsullatat, dhe disa institucione qendrore të administratës së Kosovës në Mitrovicë, sepse ata ashtu do të ndiheshin më të sigurt. Vërtet për çka po angazhohen ndërkombëtarët, për integrimin apo dezintegrimin e Kosovës?!

Ditorja “Epoka e re” Prishtinë, 19.07.2002

 

 
<<< Analiza dhe shkrime
 
 
 

Ibrahim Shala