Pas dëgjimit të deklaratave të Kryeparlamentarit Daci pas takimit të Vjenës njeriu normal është e pa mundur të mos provokohet dhe të mos reagojë. Deklarimi i tij ishte një përzierje nervozizmi, inati, prepotence, mbivlerësimi dhe i vetëmburrjes. Ai u vetshpall si njeri i pagabueshëm, si intelektuali më i madh dhe si rrjedhojë edhe patrioti më i madh shqiptar. Kjo është lindja e mbinjeriut, lindja e Zeusit shqiptarë që u vetshpall para mediave pas kthimit nga Vjena.
Natyrshëm lindi nevoja që shumë çështje të theksuara më lartë të sqarohen veç e veç në fushën e mendimit kombëtar dhe sociologjisë politike. Nga literatura nuk dimë, se te popujt e okupuar, qoftë edhe në fazën e tyre shtetformuese, që gradat shkencore për një individ të jenë dëshmi e patriotizmit. Patriotizmi është veprimtari konkrete dhe konsekuente, sakrifikim i vetëdijshëm për të mirën e përbashkët, duke privuar veten nga shumë të mira dhe favore që ofron jeta tokësore. Tek patriotizmi ka diç që varet edhe nga kodi gjenetik trashëgues, qoftë nga vija e babës ose e nënës dhe që gërshetohet me rrethanat shoqërore në të cilat zhvillohet individi. Si përfundim asnjë patriot i vërtet nuk është rastësisht patriot. Historia jonë është e freskët dhe na jep shembuj të këqij, kur para 14 vjetëve ju la në duar disa njerëzve me grada shkencore që të vendosin për Autonominë e Kosovës si: Akademik Prof dr. Hajredin Hoxha, Prof dr. Syrja Popovci, prof dr Kurtesh Salihu dhe disa Dr. e Mr. të tjerë. Pastaj kemi argumentet e shumta që dëshmojnë të kundërtën, se njeriu mund të jetë patriot i përmasave kombëtare edhe pa shkollim të lartë akademik. Çfarë të themi, për Isë Buletinin, Dedë Gjon Lulin, Azem Bejtën, Adem Jasharin, Hamëz Jasharin, Ismet Jasharin, Zahir Pajazitin, Luan Hajredinin e shumë e shumë dëshmorë të tjerë, që nuk paten mundësinë e shkollimit ose dhanë jetën në lulen e rinisë?! Edhe pse ndodhë shumë rrallë, është fat i madh kur ndodhë të jenë të gërshetuara të dyja, të jetë shqiptari intelektual me grada të larta shkencore dhe në të njëjtën kohë veprimtarë patriot e aq më tepër të jetë edhe luftëtar. Në historinë tone më të re kemi pasur raste të freskëta si ai i Mr. Ukshin Hotit, Mr. Halil Alidemës e ndonjë tjetri, por për shkak të këtyre vlerave, dihet se si është sjellë UDB ndaj tyre dhe ku i ka dërguar.
Ju zoti Daci (tash e prapa Kryezot i Parlamentit) kur krenoheni se sa shumë keni bërë për Kosovën, atëherë çfarë të thonë luftëtarët me shtatë plagë në trup, ata që kanë kaluar nga tri luftëra, çfarë të thonë familjet e dëshmorëve, çfarë të thotë familja Jashari dhe shumë familje tjera. Të ishte ndryshe sakrifica, atëherë çfarë do të thoshte Adem Demaqi për vitet e tij të kaluara nëpër burgjet jugosllave për çështjen kombëtare? Çfarë të thuhet për deklaratën e Fehmi Lladrovcit para mediave të huaja gjat luftës së UÇK? Vërtet a ka ndodhur ndokund që të barazohen ngjyra e lapsit me gjakun e dëshmorëve? Dhe nëse ka ndodhur ju mundoheni ta tejkaloni atë.
Nuk duhet harruar se edhe në sistemin e vlerave shoqërore ka raporte dhe bilance. Çfarë keni bërë ju konkretisht gjatë jetës suaj dhe që ajo punë nuk është kompensuar me vlerë materiale. Keni ligjëruar - për atë keni marrë pagë, keni botuar shkrime shkencore - për ato keni marrë honorarë, keni marrë gradat më të larta shkencore - keni pasur pagë edhe më të lartë. Shkurt çka keni sakrifikuar diçka tuajën personale për Kosovën dhe që nuk keni marrë një kundërvlerë materiale. Zotëri ju me Kosovën në fushën e vlerave jeni zero me zero, sepse shoqëria kosovare për çdo veprim tuajin ka dhënë një kundërvlerë.
Tekniku i dijes dhe demagogu
Duke bërë përcaktimin e definicionit të intelektualit, Sartri bën dallimin qartë në mes intelektualit dhe teknikut të dijes. Intelektual sipas tij është vetëm ai që ka shkollim superior dhe që është aktiv në jetën shoqërore për të ndryshuar realitetin, duke avancuar pozitën ekzistuese. Shkencëtarët e mëdhenj të mbyllur në kullën e fildishtë të lëmisë së ngushtë shkencore ai i quan vetëm teknik të dijes.
Për shkak të rrethanave politika në Kosovë nuk është zhveshë nga patriotizmi dhe ende të gjithëve na presin sprova të mëdha. Përveç kësaj mburrja patriotike dhe mbivlerësimi i vetvetes nuk janë argumente por demagogji, sepse dilni patriot i vonuar. Shqiptarët përjetuan tri lufta dhe patën mundësinë që të dëshmohen të gjithë në raport me to. Kujtesa historike është e freskët: unë nuk kam dëgjuar e as lexuar, se ju keni qenë në mbështetje të luftës. Fizikisht është e kuptueshme që nuk keni pasur mundësi dhe nuk u ka takuar, por as intelektualisht dhe as si Kryetar i Akademisë së Shkencave, nuk jeni bërë i gjallë, qoftë me studime, deklarata apo shkrime autoriale përkrahëse, bile as me formulat e prodhimit të bombave të nitroglicerinës.
Edhe pse jeni një profesor i nderuar i shkencave ekzakte, ju keni pretendime edhe në shkencën politike, por aty jeni të pa suksesshëm sepse “fusha laboratorike” është shumë e madhe dhe me shumë të panjohura. Si shkencëtarë i shkencave ekzakte deklaruat në Parlamentin e së Enjtes, se ju diskutoni për rezultatin vetëm pasi ta shihni atë. Ndryshimet në politikë ndodhin para se ne ti shohim ato. Politika nuk e ka vetëm rolin përshkrues apo konstatues, por roli themelor i saj është parashikues, me qellim që marrja e vendimeve të na dal me kosto sa më të ulët dhe që efektet e vendimit të parë të kenë efekt në uljen e kostos së vendimit të dytë dhe kështu me radhë. Ju kanë gënjyer ata që ju kanë thënë se në politikë nuk ka shkencë dhe moral, në fakt ka vetëm njerëz (politikanë) që e zhveshin politikën nga morali.
Ju vërtet ndoshta edhe mund të bëheni ashtu si ëndërroni, por u ka mbet krejt edhe pak punë, vetëm që të harmonizoni fjalët me vepra. Në rastin tuaj ekziston një dallim i madh në mes deklarimit dhe veprimit. E drejta për të vepruar në emër të atdheut dhe veprimi i drejtë janë dy gjëra të ndryshme, sepse ato në fund fare vlerësohen nga efektet e veprimit. Ju keni deklaruar se edhe mënyra e perceptimit të realitetit nga ana juaj është më specifike, më superiore! Është e vërtetë se realiteti objektiv përjetohet në mënyrë subjektive, por ky realitet nuk ndryshon sipas këtij perceptimi. Individët në fushën e dijes nuk dallojnë mes veti vetëm në bazë të perceptimit, por në bazë të faktit se gjykimi i kujt është më afër realitetit objektiv.
Zoti Daci, si Kryezot i Parlamentit, jeni shembull i gjallë që tregon, se si thyhet uniteti duke u thirr në unitet. Thirrja në votat shumicë për të vepruar i vetëm si subjekt politikë, nuk flet për unitet dhe harmoni, por për majorizim dhe vetëmjaftueshmëri. Sot një gjë dihet, se çështja e Pavarësisë së Kosovës nuk është çështje një partiake. Në popull thuhet: trimi i mirë me shok shumë. Vërtet cilët janë shokët tuaj të mirë? Trimat dhe patriotët e mëdhenj zakonisht i ka përshkuar një ndjenjë e madhe tolerance, veti kjo që më së shumti u mungon juve. Ju mund të shquheni vetëm për intolerancë dhe cinizëm.
Sipas Henri Kisingjerit edhe me ju ndodhë paradoksi i zakonshëm, që ndodh me funksionarët e lartë shtetërorë. Ata kur e kanë kohën dhe mundësitë për të marrë një vendim të rëndësishëm zakonisht u mungon informacioni, kur e sigurojnë informacionin e mjaftueshëm, del se rrethanat nuk janë ato të mëparshmet. Jam i bindur se ju në karrierën tuaj politike edhe gjatë do të flisni për riparimet.
Shpresa nuk duhet humbur asnjëherë, ngritjen intelektuale që e keni dhe funksionin që e mbani, ju mundësojnë që të reflektoni dhe nuk është kurrë vonë që të viheni me tër qenien në shërbim të Atdheut. Unë personalisht zoti Daci jam në anën tënde e jo të arushës.
Ditorja “Epoka e re” /17.10.2003./Prishtinë/